Site icon Telegrafi

Komisioni i rekomandoi Konjufcës ta kthejë në pikën zero procesin e përzgjedhjes së guvernatorit të BQK-së

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere i ka rekomanduar kryetarit të Kuvendit që ta kthej në pikën zero procesin e përzgjedhjes së guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).

Fillimisht komisioni është përcjell me telashe për sigurimin e kuorumit, ku paraprakisht anëtarët e partive opozitare kanë lëshuar sallën, me arsyen e vonesës së deputetëve të shumicës.

Pas largimit të tyre, me një orë vonesë është siguruar kuorumi nga deputetët e LVV-së.

Kryetari i Komisionit për Buxhet, Armend Muja ka njoftuar se lista me kandidatët e propozuar nuk i përmbush kriteret ligjore.

“Komisioni vlerëson se lista me kandidatët e propozuar nuk i përmbush kriteret ligjore. Atëherë bazuar në nenin 110, paragrafi 4 të rregullores së kuvendit në rastin kur kandidaturat nuk i plotësojnë kushtet sipas ligjit, komisioni kërkon nga kryetari i kuvendit ta njoftojë institucionin propozues për mos përmbushjen e kushteve”, ka thënë Muja.

Me këtë nuk është pajtuar, deputetja Duda Balje e cila e ka pyetur Mujën se cili prej kandidatëve nuk ka plotësuar kriteret.

“Nuk po e kuptoj se cili prej kandidatëve nuk ka plotësuar kushtet. Nuk e kuptoj, cili prej kandidatëve? Ju si kryetar keni bërë konstatim, unë jam në rregull. Por, vetëm po dua të di, se cili prej kandidatëve nuk ka plotësuar kushtet?”, ka pyetur Balje.

Ndërkaq, kryetari i komisionit shtoi se ka pasur ankesa në lidhje me nenin 38 dhe 40.

Për këtë ka reaguar edhe deputeti i LVV-së, Eman Rrahmani, i cili tha se nuk ka asnjë arsyeje që ky proces të kthehet mbrapsht, përveç numrit që ka ardhur në kuvend.

“E vetmja arsyeje pse ky proces nuk ka qenë në rregull, është te përcaktimi i numrit të personave që vijnë për votim në kuvend. Mënyra qysh është caktuar ai numër është eliminuese, për shkak se pasi që kanë bërë vlerësimin e kandidatëve e kanë caktuar sa persona kanë me ardhur në kuvend. Asnjë procedurë tjetër, nuk e kemi as më të voglën arsyeje. Sa dush lyp dokumente në proces-verbale edhe ti-edhe unë. Asnjë procedurë tjetër nuk është që mundemi me kthy mbrapsht. Kjo është arsyeje e vetme, sepse kanë eliminuar njerëz në proces”, tha Rrahmani.

Lexo po ashtu Pozita e guvernatorit do të ushtrohet përkohësisht nga kryetari i Bordit të BQK-së

Pas këtyre diskutime, me gjashtë vota për, pesë deputetët e LVV-së dhe deputetja Duda Balje kanë votuar që t’i rekomandohet kryetarit Glauk Konjufca, kthimi në pikën zero të këtij procesi.

Në fillim të mbledhjes së Komisionit, deputetët e opozitës në këtë Komision e kanë lëshuar sallën, ende pa filluar mbledhja.

Nënkryetari i këtij komisioni, Mergim Lushtaku ka thënë se kjo tregon për vonesa të mazhorancë dhe që ka mosmarrëveshje në këtë drejtim.

“Ne po e shohim vonesën e mazhorancës edhe në komision. Kryetari vetëm hyri dhe doli, po shihet që kanë mosmarrëveshje në këtë drejtim… Derisa ka seancë, nuk ka arsyeje që të ketë mbledhje të komisionit. Por po shihet qartë që kanë kaluar mbi 20 minuta dhe nuk kemi kuorum për të vazhduar. E lëshojmë këtë mbledhje për shkak të pa përgjegjësisë edhe të kryetarit edhe të anëtarëve të tjerë dhe vazhdojmë tek seanca”, ka thënë Lushtaku.

Në mbledhjen e sotme të këtij komisioni, Ministri i Financave, Hekuran Murati ka paraqitur para deputetëve, projektin “Zhvillimi i sektorit të energjisë Vll-përmirësimi i rrjetit të transmetimit.

Ai ka thënë se ky projektligj synon përmirësimin e rrjetit të transmisionit dhe se është projekti i parë nga KFË me mbulim të rriskut të kredisë nga qeveria gjermane.

“Me anë të kësaj marrëveshje, Qeveria e Kosovës do të marrë hua nga KFW, shumën 25,5 milionë euro, shumë e cila më pastaj nën-huazohet tek KOSTT-i dhe këto mjete do të përdoren ekskluzivisht për përmirësimin e sistemit të transmisionit në Kosovë, specifikisht do të përfshihen masat e rehabilitimit, zgjerimit dhe modernizimit të rrjetit të transmisionit si dhe shërbime të tjera të inxhinierisë përkatëse. Sa i përket kushteve të financimit, marrëveshja ka vlerën totale 25,5 milionë euro, norma e interesit përcaktohet gjatë periudhës së disbursimit të kredisë. Tarifa e zotimit parashihet të jetë 0,25 për qind në vit, kurse tarifa e menaxhimit është 1 për qind e shumës së kredisë”, ka thënë ai.

Deputetët kanë miratuar këtë projektligj dhe marrëveshjen e kredisë mes Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin “Ngrohtorja solare e Prishtinës”.

Ndryshe, ditë më parë, kryetari i bordit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Bashkim Nurboja është emëruar ushtrues detyre i guvernatorit të BQK-së.

Lexo po ashtu Pozita e guvernatorit do të ushtrohet përkohësisht nga kryetari i Bordit të BQK-së

Vendimi është marrë në mbledhjen e këtij bordi të cilën e ka udhëhequr vetë Nurboja.

Ky vendim është marrë pas skadimit të mandatit të guvernatorit të Bankës Qendrore, Fehmi Mehmeti.

Bordi i BQK-së arsyetoi vendimin me qëllim të sigurimit të vazhdimësisë së përmbushjes së objektivave të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës siç është përcaktuar me ligj.

Exit mobile version