Telegrafi

Komisioni për Buxhet dhe Financa nuk miraton kërkesat për rritje buxhetore

Në mbledhjen e rregullt të Komisionit për Buxhet dhe Financa janë shqyrtuar kërkesat buxhetore të agjencive buxhetore. Zyra e Auditorit të Përgjithshëm ka kërkuar nga Komisioni rritjen e buxhetit për vitin 2010 dhe shtimin e punonjësve nga 116 në 119.

Përfaqësuesi i Zyrës se Auditorit të përgjithshëm (ZAP), Lage Lars Olofson, tha se, “ZAP ka nevojë që të rris numrin e stafit dhe me këtë të rishqyrtohet kërkesa për rritjen e buxhetit për vitin 2010, pasi që shuma e propozuar nga Qeveria nuk i mbulon shpenzimet e parapara nga ZAP”.

Kryetar i Komisionit, Gani Koci pohoi se ballafaqimi i kërkesave të paqarta të ZAP-it ka vendosur Komisionin në dilemë për miratimin e kërkesave të tyre meqë sipas Kocit kërkesat janë të pakompletuara.

Zv.ministri i Ekonomisë dhe Financave, Bedri Hamza e ka potencuar se kërkesa e ZAP-it për rritje buxhetore ka qenë shumë më e madhe se mundësia e MEF-it për të ofruar atë shumë duke shtuar, se për vitin 2010 do të këtë buxhet më të vogël për të gjitha organizatat buxhetore.

“Mendoj se buxheti që ofron MEF për vitin e ardhshëm është i mjaftueshëm nëse shfrytëzohet në mënyrë racionale”, ka thënë ai. Besa Gaxheri anëtare e komisionit nga radhët e LDD-së ka akuzuar ZAP-in për keqpërdorimin e parasë publike. “ZAP ka keqpërdorur paranë publike meqë në listën e pagave të punëtorëve ka futur edhe ditët e pushimit “, ka thënë ajo. Kërkesa e ZAP-it është refuzuar. Komisioni nuk ka miratuar as kërkesën e Avokatit të Popullit për rritjen e pagave të punëtorëve.

Avokati i Popullit, Sami Kurteshi i ka paraqitur Komisionit nevojën e domosdoshme të kësaj Organizate për shtimin e stafit dhe rritjen e buxhetit.

Ai tha se, “në kërkesën e drejtuar Kuvendit për rritjen e buxhetit janë paraparë vetëm nevojat më të domosdoshme që kanë të bëjnë me rritjen e stafit, mëqë AP ballafaqohet me mungesë të stafit për mbulimin e të gjitha fushave”, ka thënë ai. Kërkesa e AP-së do të vazhdoj të shqyrtohet në mbledhjet e ardhshme.

Ndërkaq janë miratuar në parim, kërkesa e Kryetarit të Bordit të Autoritetit Rregullativ të telekomunikacionit (ART), për funksionalizimin e një sistemi për kontrollimin e frekuencave, dhe kërkesa buxhetore e Zyrës Rregullatore për Energji (ZRRE) që për projektet e kësaj agjensie të ndahet buxheti i kërkuar nga kjo agjensi në shumë prej 170.000 euro, për të cilën u pajtuan edhe përfaqësues të MEF-it.