Site icon Telegrafi

Komisioni për Arsim fton në raportimin ministrin Bytyqi dhe koordinatorin Hoti, pas mbajtjes së garës nacionale të diturisë

Kryetari i Komisionit për Arsim, Ismajl Kurteshi, ka konfirmuar për Telegrafin se do t’i ftojnë në raportim ministrin e Arsimit, Shyqyri Bytyqin dhe Koordinatorin Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Kosovës, Rexhep Hotin, lidhur me garën nacionale të diturisë të mbajtur shkollat fillore të Kosovës ditën e shtunë (11 maj).

“Pas mbledhjes së Komisionit për Arsim kemi marrë vendim që t’i ftojmë në raportim ministrin e Arsimit, Shyqyri Bytyqin dhe Kordinatorin Nacional për Kulturë dhe Rini në Qeverinë e Kosovës, Rexhep Hotin”, ka deklaruar Kurteshi për Telegrafin.

Lexo po ashtu 'Gara Nacionale e Diturisë' me probleme, mbahet në 95 % të shkollave

Kurteshi tha se raportimi i Bytyqit dhe Hotit para Komisionit për Arsimit do të bëhet gjatë ditëve në vazhdim, duke përmendur ditën e premte (17 maj) si njërën nga mundësitë.

Ndryshe, gara nacionale e diturisë është shoqëruar me probleme të shumta. Në disa shkolla të Prishtinës ka pasur probleme me shpërndarjen e testeve, dhe në disa të tjera kjo garë nuk është mbajtur fare, për shkak të mos arritjes së organizimit të kësaj gare me kohë.

Përveç problemeve me organizim, edhe testet e shpërndara tek nxënësit ishin me gabime të shumta.

Gara e diturisë ishte pjesë e Programit Nacional për Rininë.

Fituesit e vendeve të para në nivelin shkollor, për secilën lëndë, për secilën gjeneratë do të garojnë në nivelin komunal, pastaj vendet e para të këtij niveli do të garojnë për fituesin e nivelit republikan. ​/Telegrafi/

Exit mobile version