Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), përmes një njoftimi ka thënë se kohëve të fundit është duke u përballur me dukurinë e ndryshimit të pronësisë së të licencuarve në certifikatën e regjistrimit të biznesit të tyre, pa miratim paraprak me shkrim nga KPM siç është përcaktuar me Ligjin dhe aktet nënligjore të KPM-së.
KPM thotë se ndryshimi i pronësisë në certifikatën e biznesit në të cilën është lëshuar licenca e KPM-së, pa miratim paraprak, përbën shkelje të Ligjit dhe akteve nënligjore të KPM-së si dhe kushteve të licencës së KPM-së. Lidhur me këtë ju përkujtojmë Nenin 21, paragrafin 3 të Ligjit Nr. 04/l-44 për Komisionin e Pavarur të Mediave i cili përcakton:
“Licencat nuk mund të shfrytëzohen dhe barten pa autorizimin dhe pa aprovimin paraprak me shkrim të KPM-së”.
“Gjithashtu, me kushtet dhe termet e licencës së të licencuarve, përcaktohet që për çdo ndryshim në pronësi që kap më shumë se 10% të aksioneve të interesave ose ato që kanë ndikim të theksuar në kontrollin e të Licencuarit, kërkohet paraprakisht aprovimi me shkrim nga ana e KPM-së”, thuhet në njoftimin e bërë për media.
Tutje, KPM kërkon nga licencuarit që të mos ndërmarrin asnjë veprim për ndryshim të pronësisë në certifikatën e tyre të regjistrimit të biznesit pa miratim paraprak me shkrim nga KPM, (kjo nënkupton që procesi i ndryshimit të pronësisë së pari duhet të autorizohet nga KPM, e pastaj të ndodh ndryshimi në certifikatën e biznesit) në të kundërtën, në të gjitha rastet e ndryshimit të pronësisë pa miratim paraprak me shkrim nga KPM do të merren masa të menjëhershme sanksionues në pajtim me Nenin 30 të Ligjit për KPM-në, të cilat masa mund të çojnë deri në Ndërprerje të Licencës”
“KPM do të hapë raste ligjore për secilin ndryshim të pronësisë që nuk ka marrë paraprakisht aprovimin nga ajo, si dhe udhëzon të licencuarit të cilët tashmë kanë bërë ndryshim të pronësisë në certifikatën e regjistrimit të biznesit të tyre, pa miratim paraprak me shkrim nga KPM, që të njoftojnë menjëherë KPM-në duke parashtruar kërkesë për këtë ndryshim së bashku me dokumentacionin e nevojshëm”, theksohet tutje në njoftim. /Telegrafi/