Site icon Telegrafi

Komisioni nuk mbështet amendamentin e deputetit Haxhiu për ligjin e sponzorizimeve

Komisioni për Buxhet dhe Financa në seancën e sotme ka bërë të ditur se nuk e mbështesin amendamentin e propozuar nga deputeti i PDK-së në projektligjin për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave.

Kështu ka bërë të ditur kryetari i këtij komisioni Lumir Abdixhiku, i cili tha se komisioni po as Ministria e Financave nuk e përkrahin amendamentin e deputetit Haxhiu.

“Komisioni nuk e ka tërhequr amendamentin, sepse duhet një vendim i komisionit dhe duhet me u mbledh komisioni me e bë një gjë të tillë, nuk ka mbështetje për të tërhequr amendamentin e komisionit dhe nuk kemi përkrahje prej Ministrisë së Financave për ta bërë një gjë të tillë. Pra, Ministria e Financave nuk e mbështet amendamentin e z.Haxhiu, Komisioni nuk e mbështet amenendamentin e z.Haxhiu. Unë personalisht e kam votuar dhe kam dilema se cila është më e mirë apo jo, por çfarë dua të them është proceduralisht amendamenti i komisionit është votuar në këtë seancë dhe tash kemi edhe një amendament tjetër që duhet të hidhet në votim dhe nëse kalojnë të dyja duhet shikuar proceduralisht në bazë të rasteve të kaluara se cili amendament shkon tutje. Keqpërdorimi i parave të sponsorizuara nuk rregullohet as me alternativen e parë as me alternativen e dytë fatkeqësisht”, tha ai.

Deputeti Abdixhiku ka thënë se votimi i projektligjit për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave nuk duhet të merr konotacion partiak, duke thënë se deputetët e PDK-së, Bekim Haxhiu dhe Memli Krasniqi e kanë bërë këtë. Ai tha se po të kishte konotacion partiak, ministri i Financave, Bedri Hamza nuk do të ishte kundër këtij amendamenti.

Ai ka dhënë sqarime sa i përket amendamentit 5 të Komisionit dhe atij të propozuar nga deputeti Haxhiu.

“Alternativa e parë është alternativa që buron prej ligjit të tatimit në korporata dhe kjo alternativë ka marrë votën shumicë dhe pa asnjë votë kundër u kanë, edhe të grupit punues dhe aty kanë qenë anëtarët e të gjitha partive politike edhe në Komision për Buxhet dhe Financa. Dhe sipas kësaj alternative të mbështetur prej Ministrisë së Financave, prej ministrit Hamza dhe të kaluar në komision, bizneset kanë të drejtë të sponsorizojnë klubet, organizatat, individët dhe për atë pjesë të sponsorizimit të mos paguajnë tatim, lirohen prej tatimit. Ky është modeli që është i njohur për pjesën më të madhe të vendeve perëndimore. Sponsorizon një subjekt lirohesh për atë pjesë të sponsorizimit dhe nuk paguan tatim. Alternativa e dytë, e kjo buron prej ligjit për sponsorizime që është votuar në këtë Kuvend legjislacionin e kaluar dhe kjo alternativë na vije si amendament i z.Haxhiu, kërkon që jo prej parave të b iznesit të ndodh sponsorizimi, po prej tatimit. Pra, 30 përqind e tatimit që biznesi ia paguan shtetit të shkojnë për sport, jo biznesi më dhënë pare më tepër, por atë tatim që ka pas me ia pagua shtetit 1/3 e asaj shume me ia dhënë biznesit”, tha ai.

Kujtojmë se në seancën e kaluar Abdixhiku e kishte dhënë përkrahjen e komisionit për amendamentin e deputetit Lumir Abdixhiku./kp/

Exit mobile version