Komisioni ka votuar që mbledhja e ardhshme të mbahet me 26 prill, ku për intervistim do të ftohet Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kurse me 3 maj do të ftohen ish-drejtori i AKI-së, Driton Gashi dhe ish- drejtori i Policisë, Shpend Maxhuni.
Xhelal Sveçla, kryetar i Komisionit Hetimor Parlamentar për ndriçimin e rastit të dëbimit të shtetasve turq, ka kërkuar që të zgjerohet lista e dëshmitarëve.
Për këtë ai ka kërkuar që të ftohet për intervistim ish- drejtori i AKI-së, Driton Gashi, dhe ish- drejtori i Policisë, Shpend Maxhuni.
“Do të duhet ta zgjeronim listën e dëshmitarëve, dhe unë kërkoj që më 3 maj ta ftojmë për inntervistim, ish drejtorin e AKI-së, Driton Gashi dhe ish drejtorin e Policisë Shpend Maxhunin. Po ashtu edhe dy zyrtarë të AKI që kanë qenë prezent në rastin e dëbimit të shtetasve turq”, ka thënë Sveçla.
Sveçla ka thënë se arsyeja e ftesës është për shkak të deklaratave të tyre të ndryshme.
“Ata kanë dhënë deklarata kundërthënëse dhe do të duhej të vinin ta sqaronin. Po ashtu ekziston një zbrazëti në raportet e këtyre dyve lidhur me këtë rast”, ka thënë Sveçla. /Telegrafi/