Telegrafi

Komisioni i Konkurencës ndalon rritjen e çmimit të bukës në Vlorë

Këto masa janë marrë në kuadër të hetimit që po kryen Autoriteti i Konkurrencës, në këtë treg me qëllim ndalimin e shkeljeve të mundshme të ligjit 9121, “Për mbrojtjen e konkurrencës”. Autoriteti i Konkurrencës, në mënyrë të menjëhershme, ka realizuar inspektime në këtë treg, ku u konstatua se rritja e çmimit të bukës në qytetin e Vlorës ka ardhur pas një takimi të 42 prodhuesve dhe tregtuesve të bukës në datë 21.3.2011. Në këtë takim është rënë dakord se që nga data 23.03.2011 çmimi i bukës 900 gr do të jetë 120 lek dhe çmimi i bukës 450 gr. do të jetë 60 lek.

Ky njoftim është afishuar në të gjitha njësitë tregtare dhe prodhuese të bukës dhe çmimi i fiksuar nga inspektimet paraprake rezulton se është zbatuar nga të gjithë pjesëmarrësit në mbledhjen e datës sipas procesverbalit të administruar. Sjellja e këtyre ndërmarrjeve për fiksimin e çmimit të shitjes së bukës në qytetin e Vlorës ka të ngjarë të jetë një shkelje e Ligjit Nr 9121. Kjo shkelje e mundshme sjell një dëm të rëndë për konkurrencën në treg, dhe për konsumatorët.

Komisioni i Konkurrencës kërkoi që pjesëmarrësit në marrëveshjen e ndaluar për rritjen dhe fiksimin e çmimit të bukës në qytetin e Vlorës, t’i japin fund menjëherë sjelljes së bashkërenduar për fiksimin e çmimit të bukës, që masat e përkohshme të zbatohen me marrjen ne dijeni të këtij vendimi për një periudhë kohe deri në përfundim te hetimit, që moszbatimi i vendimit për masa të përkohshme, ndëshkohet me gjobë deri në 10 % të xhiros vjetore për shkelje të rëndë të konkurrencës dhe që në rast të moszbatimit të masave të përkohshme brenda afateve të përcaktuara në vendim, Komisioni i Konkurrencës mund të vendosë gjoba periodike deri në 5 % të xhiros mesatare ditore të vitin financiar para-ardhës, e cila llogaritet nga data e marrjes se këtij vendimi. /Telegrafi/