E përditshmja Mapo raportoi të mërkurën se anëtarët demokratë në komision pritet të vijojnë me seanca dëgjimore me qytetarë dëshmitarë të ngjarjeve, ndërkohë që po punojnë paralelisht me përpunimin e të dhënave që janë mbledhur deri tani.
Në këtë komision kanë raportuar kryeministri Sali Berisha, ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, Komandanti i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, Drejtori i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.
Ndërkohë, kryeprokurorja Ina Rama është paraqitur në komision për të lexuar një deklaratë të shkurtër, ndërsa presidenti i Republikës, Bamir Topi dhe kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Bahri Shaqiri kanë refuzuar të paraqiten.
Asnjë përfaqësues i opozitës nuk është paraqitur në komision, ndërsa PS ka depozituar një kërkesë pranë Gjykatës Kushtetuese për anti-kushtetutshmërinë e këtij komisioni. /Telegrafi/