Site icon Telegrafi

Komisioni Evropian zyrtarisht e miratoi Agjendën Reformuese për Maqedoninë e Veriut

Ministria për Çështje Evropiane njofton publikun se Komisioni Evropian zyrtarisht ka miratuar Agjendën Reformuese të Maqedonisë së Veriut, e cila përbën një hap të rëndësishëm përpara në procesin e integrimit të vendit dhe rajonit në Bashkimin Evropian.

Ky vendim, thuhet në njoftim, vjen pas një analize të detajuar nga ana e Komisionit Evropian, i cili ka njohur relevancën dhe përfshirjen e planeve reformues, veçanërisht në përshpejtimin e harmonizimit të vendit me ligjet, vlerat dhe standardet e BE-së.

“Miratimi i kësaj agjende mundëson qasje në mjetet financiare në kuadër të Fondit për Reforma dhe Rritje të BE-së, në shumën prej 6 miliardë euro. Fondi është projektuar për të mbështetur procesin transformues të Maqedonisë së Veriut, duke siguruar që reformat jo vetëm që do të përforcojnë institucionet demokratike dhe të drejtat e njeriut, por gjithashtu do të përmirësojnë integrimin ekonomik të vendit me BE-në.

Agjenda Reformuese, e cila është pjesë më e gjerë e Planit për Rritje të BE-së për Ballkanin Perëndimor për periudhën 2024-2027, është e fokusuar në reforma kyçe socio-ekonomike dhe sferat themelore siç janë sundimi i së drejtës, pavarsia e gjyqësorit dhe lufta kundër korrupsionit. Komisioni i vlerësoi këto përpjekje, duke theksuar se reformat do të kontribuojnë ndjeshëm në konvergjencën socio-ekonomike me BE-në dhe do ta ndihmojnë Maqedoninë e Veriut në përmbushjen e kritereve kyçe për aderim”, thonë nga Ministria për Çështje Evropiane.

Nga atje shtojnë se ky hap i rëndësishëm e mbështet ndjeshëm orientimin strategjik të vendit për integrim evropian, duke intensifikuar njëkohësisht bashkëpunimin ndërinstitucional midis Maqedonisë së Veriut dhe Komisionit Evropian, me qëllim realizimin e prioriteteve strategjike të përbashkëta dhe qëllimeve afatgjate për integrimin e plotë në strukturat evropiane./Telegrafi/

 

Exit mobile version