Një zgjidhje e përhershme nënkupton një zgjidhje realiste, e qëndrueshme dhe e mundshme, në pajtueshmëri me të drejtën ndërkombëtare, e mbi të cilën Prishtina dhe Beogradi duhet të kenë pajtueshmëri, ka deklaruar sot në Bruksel zëdhënësi i Komisionit Evropian, Carlos Martin.
I pyetur nëse Komisioni Evropian mbështet qëndrimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për ndarje ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë, ai ka thënë se gjatë takimit të nivelit të lartë, Vuçiq dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kanë pasur “bisedime intensive dhe produktive mbi kornizën e marrëveshjes për normalizimin e plotë të marrëdhënieve dhe se janë pajtuar për intensifikimin e punëve’.
Martin ka shtuar gjithashtu se më 18 korrik, “Vuçiq dhe Thaçi kanë shqyrtuar përparimin e arritur dhe janë pajtuar të takohen sërish në fillim të shtatorit”.
“Dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për synim ka nxitjen e arritjes së një bashkëpunimi të përhershëm mes të dyja palëve dhe t’ju ndihmojë atyre të arrijnë përparim në rrugën e tyre drejt Evropës”, ka thënë Martin. /Rel/