Telegrafi

Komisioni Evropian: Rritja ekonomike e Shqipërisë, 3.4%

Komisioni Evropian publikoi raportin e fundit të programit të reformave ekonomike për Shqipërinë, Maqedoninë, Serbinë, Kosovën, Malin e Zi, Turqinë dhe Bosnje Hercegovinën.

Ky raport jep një panoramë gjithëpërfshirëse sa i përket ecurisë së ekonomisë shqiptare, por edhe projeksioneve për të ardhmen. Rritja ekonomike përgjatë këtij viti konfirmohet pranë 3.4%, për të kulmuar në 3.9 dhe 4.2% gjatë viteve 2017 dhe 2018 respektivisht.

Norma e papunësisë ndërkohë projektohet të zbresë pranë 15.9% përgjatë vitit aktual. Nëse projeksionet do të rezultojnë realiste, atëherë Shqipëria do të kishte normën më të ulët të papunësisë në rajon, pas Turqisë.

Përgjatë dy viteve të ardhshme, kjo normë projektohet të bjerë pranë 14.4 dhe 13.1% respektivisht.

Norma e inflacionit ndërkohë projektohet pranë 2.3% përgjatë këtij viti. Ky projeksion duket tejet optimist.

Borxhi publik projektohet pranë 70.6% në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, për të zbritur në 67.7% vitin e ardhshëm dhe 63.6% në vitin 2018. Në krahasim me rajonin, vetëm Serbia dhe Mali i Zi, me 0.1 pikë përqindje pritet të kenë një normë borxhi më të lartë se Shqipëria. /Telegrafi/