Deri sa e gjithë bota dhe institucionet ndërkombëtare kërkojnë dekomisionimin e Kosovës A, të vlerësuar edhe nga Banka Botërore si një ndër ndotësit më të mëdhenj në Evropë, anëtarë të Sindikatës së Re të KEK sjellin ide tjetër në kundërshtim me të gjitha ato paraprake dhe kredibile, atë të rivitalizimit të këtij termocentrali, që ka të gjitha afatet e tejkaluara.
Madje, së fundmi, edhe raporti i progresit të Kosovës për vitin 2019, në pjesën për energji elektrike, kërkon fillimin urgjent të përgatitjeve për dekomisionimin e Kosovës A.
Raport tjetër i mëhershëm i Komisionit Evropian mbi dekomisionimin e këtij termocentrali, në pjesën e konkluzave thotë se rivitalizimi i Kosovës A është thjeshtë, ekonomikisht i parealizueshëm.
“Njësitë e termocentralit Kosova A kanë tejkaluar të gjitha afatet e mundshme kohore dhe investime të mëdha duhet bërë vetëm për t’i sjellur në standardin e lejuar mjedisor. Kjo është ekonomikisht e parealizueshme’, thuhet në raportin e Komisionit Evropian, që qysh në vitin 2009 kishte paralajmëruar dekomisionimin e këtij termocentrali.
Ndryshe, përveç dëmeve mjedisore dhe mungesës së fizibilitetit ekonomik, mbyllja e Kosovës A kërkohet edhe nga Traktati i Komunitetit të Energjisë. ‘Kosova ka nënshkruar Traktatin e Komunitetit të Energjisë në Tetor 2005 dhe ka ratifikuar atë në Korrik 2006’, thuhet në raportin për dekomisionimin e Kosovës A.
“Deri sa menaxhmenti dhe punëtorët e termocentralit po bëjnë të pamundurën për t’a mbajtur atë në operim, duhet theksuar se puna në Kosovën A është shumë e rrezikshme. Ka shumë rreziqe shëndetësore dhe të sigurisë për operatorët dhe mirëmbajtjen, për shkak të prishjes së shpeshtë të sistemeve dhe strukturës së termocentralit dhe mirëmbajtjes së keqe.’, deri sa rivitalizimi është thjeshtë, i parealizueshëm dhe ekonomikisht jo-fizibil, thuhet në raport.
Sindikata e Re e KEK ka paralajmëruar protesta për ditën e Martë pranë zyrave qendrore të KEK, për të kërkuar marrëveshjen kolektive sektoriale, implementimin e pagave jubilare për periudhë më të gjatë kohore, rivitalizimin e Kosovës A, rishikimin e ligjit për paga dhe rritjen e vlerës së shujtës ditore.
Dekomisionimi i termocentraleve të moshës së njëjtë me Kosovën A tani më ka ndodhur pothuajse në gjithë Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë.
Në termoelektranën në Shoshtanj të Sllovenisë, blloqet një dhe dy të ndërtuara në vitet e 60-ta janë mbyllur më 2010 dhe 2008. Blloku A3 i të njëjtit termocentral, i ndërtuar më 1960 është dekomisionuar (me vonesë) në vitin 2014. Njashtu si blloqet më lartë, edhe blloku 4 i ndërtuar më 1972 është mbyllur
më 2018.
Sllovenia kishte ndërtuar termocentral të ri prej 600 megavatësh në Shoshtanj në vitin 2016, për të zëvendësuar mungesën e rrymës të shkaktuar nga mbyllja e termocentraleve të vjetra, të moshës së njëjtë me Kosovën A.
Termocentrali Kosova A ka 5 njësi të ndërtuara gjatë 1960-tave dhe fillim të viteve 1970. Për momentin, vetëm njësitë A3 dhe A5 operojnë, deri sa njësia A4 është jashtë prodhimit nga Prilli 2009 për shkak të problemeve në transformator, deri sa njësitë A1 dhe A2 nuk janë në përdorim qe një kohë të gjatë.
Termocentrali që ka tejkaluar gjysmë shekulli operimi, tani më ka të gjitha afatet e jetëgjatësisë të tejkaluara dhe sipas një numër raportesh, duke përfshirë edhe ato të Bankës Botërore, Kosova A është ndër ndotësit më të mëdhenj në Evropë.
Raportet theksojnë se njësia duhet dekomisionuar sa më shpejtë që është e mundur.
Pas mbylljes së Kosovës A, në mungesë të kapaciteteve të reja energjetike dhe termocentralit të ri, Kosovës do i duhet të varet në import për furnizim të energjisë elektrike, të cilat vetëm dekadën e fundit kanë tejkaluar mbi gjysmë miliardi euro.