Komisioni Evropian dha një raport pozitiv për Republikën e Maqedonisë së Veriut. Komisioneri për Zgjerim të BE-së, Johannes Hahn, i cili paraqiti raportin, i sugjeroi këshillit që të japë datë për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në Bashkimin Evropian, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Sipas Hahn, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, kanë kryer reforma ambicioze dhe kanë bërë përparim. Për Maqedoninë e Veriut, ai theksoi marrëveshjen e Prespës dhe marrëveshjen me Bullgarinë si një vend i ndritshëm për bashkëpunim të mirë fqinjësor dhe rajonal si dhe reforma e suksesshme gjyqësore.
“Me kënaqësi, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria realizuan mundësinë e transformimit të parimeve të tyre gjyqësore. Maqedonia e Veriut vazhdon me një agjendë ambicioze të reformave dhe zgjidhi kontestin për emrin, marrëveshja me Bullgarinë është një shembull për forcimin e bashkëpunimit rajonal, i cili është një shembull i shkëlqyer. Të gjitha vendeve u janë theksuar reformat. KE propozon që Këshilli tani të jap datë për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”, tha Hahn.
Pavarësisht përparimit, Serbia dhe Mali i Zi duhet të vazhdojnë me reformat në gjyqësor, tha Han, duke shtuar se kjo është një parakusht për të vazhduar me perspektivat evropiane./Telegrafi/