Site icon Telegrafi

Komisioni Evropian: Marrëveshja Kosovë-Serbi është urgjente, në mënyrë që të dyja shtetet të përparojnë në rrugët evropiane

Foto: Ilustrim

Komisioni Evropian ka publikuar sot Raportin Vjetor për Kosovën për vitin 2020.

Në raportin e Komisionit Evropian thuhet se, Kosova duhet të bëjë përpjekje të mëtejshme thelbësore dhe të kontribuojë në arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme me Serbinë, transmeton Telegrafi.

“Në lidhje me normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, dialogu i lehtësuar nga BE-ja rifilloi me takime të nivelit të lartë më 12 dhe 16 korrik dhe 7 shtator 2020. Në Bruksel u zhvilluan një numër takimesh të nivelit të ekspertëve. Kosova duhet të bëjë përpjekje të mëtejshme thelbësore dhe të kontribuojë në arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme me Serbinë. Një marrëveshje e tillë është urgjente dhe e rëndësishme në mënyrë që Kosova dhe Serbia të mund të përparojnë në rrugët e tyre përkatëse evropiane”, thuhet në raport.

Lexo po ashtu Raporti i Komisionit Evropian: Dështimet dhe përparimet e Kosovës

Kurse, sa i përket përafrimit me standardet evropiane,  në raport thuhet se Kosova ka në përgjithësi një farë niveli të përgatitjes.

“Harmonizimi legjislativ ka vazhduar në disa fusha por zbatimi është shpesh i dobët. Është bërë përparim i mirë në fushën e tatimeve, përfshirë për sa i përket mbledhjes së të hyrave. Është bërë një farë përparimi në fushën e lëvizjes së lirë të mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, si dhe në shërbimet financiare, prokurimin publik dhe konkurrencën. Është bërë një farë përparimi edhe në fushën e energjisë, veçanërisht me masat e efiçiencës së energjisë në sektorin publik dhe rritjen graduale të investimeve në burimet e ripërtërishme të energjisë. Është arritur përparim i kufizuar në adresimin e çështjeve mjedisore. Nuk është bërë asnjë përparim në fushën e arsimit, dhe cilësia e arsimit duhet të përmirësohet në mënyrë të konsiderueshme. Në përgjithësi, Kosova duhet të përmirësojë kapacitetet e veta administrative dhe koordinimin, në të gjithë sektorët, për të siguruar zbatimin efektiv të acquis-së së BE-së”./Telegrafi/

Exit mobile version