Komisioni Evropian, ende nuk ka një qëndrim për marrëveshjen e nënshkruar të hënën mes Shqipërisë dhe Italisë për krijimin e kampeve të refugjatëve.
Një zëdhënës i Komisionit Evropian ka deklaruar për mediat italiane se autoritetet e Brukselit janë në kontakt me palën italiane për të mësuar më shumë detaje për paktin e arritur mes dy shteteve.
Zëdhënësi i KE shprehet se “para se të komentojmë më tej, duhet të kuptojmë se çfarë saktësisht synojmë të bëjmë”, shkruan Euronews Albania.
Zyrtarët e Komisionit Evropian konfirmojnë se janë vënë në dijeni për marrëveshjen mes dy shteteve përpara se ajo të firmosej në Romë nga kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja e Italisë, Georgia Meloni.
Marrëveshja u bë e ditur ditën e hënë nga kryeministrja e Italisë gjatë konferencës për media me homologun shqiptar.
Gjatë fjalës së saj, Meloni tha se pakti i nënshkruar mes Shqipërisë dhe Italisë është një model bashkëpunimi që mund të përdoret edhe nga vendet e tjera të Bashkimit Evropian, për t’u përballur me krizën e emigrantëve.