Site icon Telegrafi

Komisioni Evropian: Është e nevojshme urgjentisht të arrihet marrëveshje

Komisioni Evropian e ka përshëndetur përparimin e djeshëm të bisedimeve të Marrëveshjes së Përzhinës dhe i inkurajon partitë që të gjejnë marrëveshje përfundimtare.

“Ne e përshëndesim përparimin që u bë dje në diskutimet për dalje nga kriza politike dhe i inkurajomë partitë që urgjentisht të arrijnë marrëveshje për çështjen në të cilën mund të gjendet zgjidhje me vullnet të mirë nga të gjitha palët”, thuhet në kumtesën e Komisionit Evropian.

Përndryshe, vetëm një çështje i ka ndarë partitë politike të Maqedonisë për të arritur marrëveshje në Përzhinë në takimin e djeshëm. Këtë e bëri të ditur Ambasadori i BE-së Aivo Orav për mediat të enjten një orë pas mesnatës, pas bisedimeve maratonike që patën zhvilluar katër përfaqësuesit e partive nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinës.

Problemi qëndron në atë se LSDM kërkon tërheqje të Ligjit të ri për MPB ose implementim të më vonshëm të tij, ndërsa OBRM-PDUKM nuk pajtohet. Kjo parti do të ishte pajtuar sikur të mund të caktojnë me marrëveshje numër fiks të ndryshimeve në kuadro të cilat mund ti bëjë ministri i ri teknik që do të kishte ardhur në atë funksion 100 ditë para zgjedhjeve, njofton Portalb.

Partitë janë marrë vesh për Qeveri teknike funksionale 100 ditë para zgjedhjeve, nga gushti, ndërsa zgjedhjet do të ishin mbajtur në nëntor.

Negociata të reja mes partive do të ketë vetëm nëse ndonjëra parti ka propozim të ri në lidhje me këtë çështje. /Telegrafi/

Exit mobile version