Komisioneri për fqinjësi dhe zgjerim i BE, Oliver Varhelyi, në paraqitjen e tij të parë që prej se mori mandatin për këtë post, ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi, duke thënë se do të punojë me Shefin e ri të Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, Josep Borrell, për të përmbyllur dialogun.
“Përfaqësuesi i Lartë i BE- për Politikë të Jashtme, Borrel ka thënë tashmë se dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës do të jetë prioritet i tij. Unë do të ofroj gjithë ndihmën time në atë drejtim dhe shpresojmë të përfundojë deri në fund të vitit të ardhshëm”, tha Varhelyi, duke folur në Parlamentin Evropian në tryezën e rrumbullakët kushtuar eurointegrimeve të Ballkanit Perëndimor.
Varhelyi tha se “është e rëndësishme që Qeveria e re në Kosovë të formohet sa më shpejt, pasi e presin punë të rëndësishme” .
“Presim nga Qeveria e re e Kosovës të punojë në vazhdimin e dialogut me Serbinë, i cili po mbahet nën udhëheqjen e BE-së, duke përfshirë heqjen e tarifave 100 për qind për mallrat nga Serbia dhe BeH”, tha Varhelyi, transmeton Telegrafi.
Siç raporton REL, Varhelyi tha se Ballkani Perëndimor mbetet prioritet për BE-në dhe për të personalisht.
“Rajoni i Ballkanit Perëndimor ka perspektiv të vërtetë në BE, por për ta bërë këtë realitet duhet të ketë fokus në reforma të vërteta në rajon. Investimet ekonomike, liritë për njerëzit, rritja e standardit jetësor duhet të jenë prioritete. Komisioni në fillim të vitit të ardhshëm do të paraqesë raportin për forcimin e procesit të zgjerimit”, është shprehur Varhelyi.
Varhelyi ka thënë se është i nevojshëm një angazhim i fortë politikë për reforma, jo për hir të BE-së, por të qytetarëve të shteteve të rajonit. Ai ka kërkuar që procesi i reformave të jetë gjithëpërfshirës dhe sipas tij, në këtë pikë, roli i parlamenteve nacionale, duhet të ketë kryesor.
“Dua që procesi të jetë më dinamik, jo vetëm të jetë fokusi në hapjen dhe mbylljen e kapitujve. Duhet të mundësohet që sa më herët vendet e Ballkanit të përfshihen në disa politika edhe para se të anëtarësohen në BE. Njerëzit të mos kenë nevojë që të presin anëtarësimin për të ndjerë benificionet”, tha Varhelyi. /Telegrafi/