Site icon Telegrafi

Komisioneri i BE-së Fuele konfirmon: Kosova kusht për Serbinë në BE

Kisha shkruar një opinion ditë me parë në lidhje me pranimin e Serbisë në BE. Pata thënë se Kosova është kusht për Serbinë në BE. Edhe pse mund të duket si optimizëm i tepruar kishte baza të forta dhe tani kemi një deklarim fundamental nga njeriu që është më kompetent për këtë gjë. Deklarata vjen nga njeriu që është i ngarkuar për zgjerimin e BE-së, pra për pranimin e shteteve të reja, komisioneri i BE për zgjerim, Stefan Fuele. Deklarata ishte shumë e qartë, Fuele tha se “Serbia nuk mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian pa zgjidhjen e këtij problemi (statusit v.a), për këtë nuk ka asnjë fije dyshimi. Beogradi e Prishtina, me ndihmën e BE-së, duhet ta gjejnë këtë zgjidhje”.

Opinioni që e pata shkruar u botua në disa mediume si portale dhe gazeta, përveç në njërën nga “mediumet e mëdha” që mban një qëndrim të theksuar opozitar ani se shkrimi nuk ka të bëjë fare me pozitën apo opozitën në Kosovë. Kështu ky medium tregoi se sa e respekton mendimin e lirë dhe sa i hapur është. Nëse kanë menduar se shkrimi nuk ka vlerë atëherë deklarata e Fuele tregon më së miri sa pak të drejtë patën.

Sidoqoftë, shumë më me rëndësi është procesi i rrumbullakimit të pavarësisë së Kosovës se sa liria e shtypit nga ndonjë medium tek ne, qoftë në mediumet e pozitës qoftë në ato opozitare. Me kohë këto gjëra do të rregullohen dhe publiku do të informohet drejtë e jo në bazë të preferencave të caktuara partiake apo grupeve të interesit. Natyrisht në kuptimin se interesat tona nacionale janë shumë më të larta nga interesat meskine të individëve apo grupeve të caktuara.

Duhet thënë se deklarata e z. Fuele nuk është edhe aq befasuese. Ka pasur edhe më herët prononcime të shumta të politikanëve të shumtë që e kanë shprehur qëndrimin se Serbia nuk mundet të jete pjesë e BE-së pa e zgjidhur problemin e Kosovës e ajo zgjidhje është siç do shumica e BE (që e njohin Kosovën). Ajo që është befasuese megjithatë është fakti se deklarata e z. Fuele erdhi vetëm dy ditë pas arrestimit të të kërkuarit të fundit të Hagës, Goran Hadzic.

Është thënë në shumë raste se logjika e shëndoshë e thotë atë që e tha edhe ambasadori gjerman në Kosovë para do ditësh se “nuk mund të jenë dy shtete në BE që nuk e njohin njëra tjetrën”. Logjika tjetër është se kur dëshironi të jeni pjesë e një klubi duhet që t’i përmbaheni rregullave të atij klubi dhe është klubi ai që cakton kushtet e jo anëtari kandidat. Në rastin konkret është BE që cakton rregullat për pranim e jo Kosova apo Serbia.

Ka ende një keqkuptim të pashpjegueshëm të kuptimit të funksionimit të BE-së. BE mund të bëje diçka vetëm kur për atë gjë merren vesh të 27 vendet anëtare (që nga 2012-ta, 28 sosh me Kroacinë). Në këtë kuptim mund të ketë anëtarësim të një vendi (në këtë rast Serbisë) vetëm kur për këtë të merren vesh (pajtohen) të gjitha vendet anëtare të BE. Anëtarët e Bundestagut gjerman, për shembull, e kanë thënë shumë qartë se nuk do të ratifikojnë marrëveshjen për pranim të Serbisë në BE nëse kjo e fundit nuk e pranon Kosovën. Nëse dikush mendon se ata tallen e ka shumë gabim sepse në këtë rast pjesëtarët e Bundestagut flasin në emër të atyre që marrin vendime meqë është Bundestagu gjerman ai që ratifikon marrëveshjen e pranimit të ndonjë shteti në BE. Natyrisht si njëri prej 27 anëtareve të BE-së.

Në anën tjetër problem të ngjashëm ka Kosova për shkak të mosnjohjes nga pesë vende anëtare të BE. Këto pesë vende mund të bllokojnë Kosovën në procesin e integrimeve me arsyetimin se Kosova nuk është shtet dhe është ndarë njëanshëm nga Serbia. Ky është qëndrimi zyrtar i tyre përndryshe këto vende kanë probleme të brendshme për një qëndrim të tillë duke pasur frikë nga nxitja e aspiratave separatiste nga grupet etnike. Shembull të tillë kemi baskët dhe katalonasit në Spanjë. Por këto pesë vende të BE-së nuk patën problem që të pranojnë Sudanin Jugor që në ditët e para pas shpalljes së pavarësisë. Arsyeja e një veprimi të tillë ishte shumë e qartë pasi Sudanin Jugor i pari e pranoi vendi prej të cilit u nda, Republika e Sudanit.

Në dritën e kësaj situate mund ta kemi të qartë zhvillimin e ngjarjeve për Kosovën dhe rreth saj. Kjo situatë na jep përgjigjen se pse po bisedohet me Serbinë dhe pse këto biseda nuk duhet ndërprerë ose ne nuk duhet të jemi fajtorë për ndërprerje. Logjika është që Serbisë duhet mundësuar (lehtësuar) rruga e njohjes së Kosovës së pari në aspektin faktik. Së pari më disa marrëveshje (apo konkluza të BE) për qarkullim të njerëzve, mallrave dhe kapitalit. Më tutje me pajtimin e Serbisë për pjesëmarrje të Kosovës në forume ndërkombëtare përfshirë OKB-në si instancë të fundit. Kur të jenë kryer të gjitha këto procese atëherë edhe pesë vendet anëtare të BE-së do ta pranojnë Kosovën si shtet dhe natyrisht hiqet edhe pengesa e fundit për anëtarësim.

Veprimet tjera që do të ishin në kundërshtim me këtë rrugë vetëm sa do të shtynin proceset pa zgjidhur gjë. Duhet të kuptojmë se Kosova nuk e ka as shansin më të vogël të jetë pjesë e OKB-së derisa ekziston vetoja ruse dhe kjo shihet qartë në rregullat 134, 135, 136, 137 dhe 138 të kapitullit XIV të OKB-së (rregullat e procedurave) që kanë të bëjnë me pranimin e shteteve të reja. Sudanit Jugor për shembull iu deshën vetëm pesë ditë nga dita e pavarësimit që të jete pjesë e OKB-së, natyrisht pasi që Këshilli i Sigurimit dhe Asambleja e Përgjithshme e OKB-së dhanë pëlqimin unanimisht.

Duke ditur këto fakte nuk është mirë që të dezinformohet publiku në Kosovë. Për fat të keq ka edhe juristë të diplomuar dhe me përvojë të gjatë që nuk i dinë rregullat e lartcekura të OKB-së. Neve për shembull mund të na pranojnë 150 apo 180 shtete që janë shumë më tepër se 2/3 e nevojshme, por pa rekomandim të Këshillit të Sigurimit (ku Rusia ka të drejtë të vetos) nuk ka as votim në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së e lëre më ndonjë pranim.

Në vazhdën e këtyre fakteve mund të kuptojmë rrugën e përmbylljes së pavarësisë së Kosovës. Përfundimi i kësaj rruge është natyrisht Kosova në OKB, BE, NATO dhe në të gjitha organizatat tjera ku janë shtetet e botës. Kjo rrugë do të kalohet bashkërisht me bashkësinë ndërkombëtare, miqtë e tanë. Kjo rrugë natyrisht kërkon nga ata që udhëheqin këtë vend luftë të vazhdueshme kundër krimit e korrupsionit, zbatimin e ligjshmërisë dhe zhvillimin ekonomik.

Exit mobile version