Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF ka ofruar nën financime për OJQ-të në shtatë komuna për të mbështetur procesin e hartimit të Rregulloreve dhe Strategjive komunale për të Drejtat e Fëmijëve.
“Rregulloret tashmë janë aprovuar në komunat: Gjilan, Ferizaj, Pejë, Drenas, Fushë Kosovë dhe Lipjan. Pas aprovimit të Rregulloreve për të Drejtat e Fëmijëve, komunat kanë nisur edhe miratimet e Strategjive dhe Planeve të Veprimit. Në përfundim të procesit të aprovimit të rregullores është edhe komuna e Prishtinës. Organizatat e nën financuara të cilat kanë mbështetur komunat në hartimin e rregulloreve dhe strategjive komunale për të drejtat e fëmijëve janë: Shpresa dhe Shtëpi për Fëmijët, POLIS, Organizata Akti, NOPM, YMCA, Programi për të Drejtat Civile dhe Organizata për Fëmijët pa Kujdes Prindëror.
Rregullorja dhe strategjia komunale për të drejtat e fëmijëve kanë për qëllim që çështjet të cilat kanë të bëjnë me fëmijë, të vihen në qendër dhe të kthehen në prioritet të axhendës së qeverisjes komunale. Këto dokumente ofrojnë mundësinë për secilën komunë, që të përfshihet të trajtojë çështjet që kanë të bëjnë me fëmijët, duke synuar kështu realizimin e të gjitha të drejtave të tyre”, thuhet në njoftimin për media.
KOMF u ofron rregulloren si model referues të gjitha komunave të Kosovës, duke u ofruar atyre një mundësi të replikimit të procesit dhe hartimit të Rregullores Komunale dhe Strategjisë për të Drejtat e Fëmijëve, brenda komunave të tyre.
Njëherit, KOMF ju bën thirrje komunave që tashmë kanë miratuar rregulloret dhe strategjitë komunale për të drejtat e fëmijëve, të fillojnë zbatimin e tyre, duke ndikuar kështu në përmirësimin e mirëqenies së fëmijëve.
Ky proces është mbështetur në kuadër të projektit “Mbrojtja e të Drejtave të Fëmijëve në Kosovë”, projekt i financuar nga Bashkimi Evropian, i udhëhequr nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe zbatuar nga Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijës KOMF.
Modeli i rregullores bazohet në rregulloren për realizimin e të drejtave të fëmijëve përmes sistemit qeverisës komunal miqësor për fëmijët e cila është miratuar nga Komuna e Gjakovës dhe është përkrahur nga Zyra e UNICEF-it në Kosovë. /Telegrafi/