Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF, me keqardhje ka pritur lajmin për mos votimin e amendamentit për Projektligjin për Buxhetin për vitin 2018 që parashihte ndarjen e 739 mijë euro si nën-program nën kodin buxhetor 208, për pagesën e personelit profesional për të gjitha institucionet edukativo arsimore të sistemit parauniversitar në Kosovë, konkretisht mjetet për 50 asistentë për fëmijët më aftësi të kufizuara dhe 100 psikologë – pedagogë në shkolla.
KOMF bën të ditur se ka zhvilluar konsultim të gjerë me organizatat anëtare të specializuara të fushës dhe deklaron që mos votimi i këtij amendamenti do të prodhojë stagnim dhe mos avancim të sistemit arsimor gjithëpërfshirës për fëmijët.
“Mos votimi i këtij amandamenti nga deputetet e Republikës së Kosovës, është në kundërshtim të plotë më interesin më të mirë të fëmijëve, Konventën për të Drejtat e Fëmijës[1], Kushtetutën e Republikës së Kosovës[2] dhe Ligjin për Arsimin Parauniversitar. Konkretisht, Ligji për Arsimin Parauniversitar garanton gjithëpërfshirjen, shërbimet efektive, të dizajnuara për t’u ofruar të gjithë fëmijëve të drejtat e barabarta për shkollim, në pajtim me aftësitë dhe nevojat e tyre specifike, si dhe për të avancuar zhvillimin e tyre arsimor dhe social. Po i njëjti ligj, përcakton “Personelin profesional jomësimdhënës””, thuhet në reagim.
KOMF konsideron se për asnjë arsye, qoftë ajo financiare apo organizative, arsimimi cilësor për fëmijët me aftësi të kufizuara nuk duhet të mohohet.
Sipas KOMF-it në këtë mënyrë fëmijëve me aftësi të kufizuara po iu rrezikohet e drejta e tyre themelore për arsim cilësor.
“Për më tepër, mos ofrimi i kushteve për arsimin për fëmijët më aftësi të kufizuara rritë stigmatizimin e fëmijëve duke vështirësuar apo pamundësuar qasjen dhe ri integrimin e tyre në shoqëri. KOMF bën thirrje që në rishikimin e buxhetit për vitin 2018 të përfshihet dhe votohet ky propozim në mënyrë që të përmbushet obligimi shtetëror në mbrojtje të fëmijëve”, thuhet në njoftim.
KOMF u bën thirrje MASHT, komunave, institucioneve arsimore dhe organeve të tjera relevante, të përfshira në ofrimin e arsimit parauniversitar, që të planifikojnë dhe ofrojnë arsimin gjithëpërfshirës për të gjithë fëmijët në Republikën e Kosovës për të avancuar zhvillimin e tyre arsimor dhe social. /Telegrafi/