Site icon Telegrafi

KOMF: Mbroni fëmijët nga duhani

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, me rastin e ditës Botërore kundër duhanit bëri thirrje që të merren masa parandaluese për vetëdijesimin dhe ndalimin e konsumimit të duhanit nga fëmijët, ekspozimit të fëmijëve ndaj tymit të duhanit, si dhe kufizimin e qasjes së fëmijëve për blerjen e duhanit.

KOMF thekson se fëmijët në Kosovë janë të ekspozuar dhe të rrezikuar edhe nga pirja pasive e duhanit. Pirja pasive e duhanit nënkupton thithjen e tymit që vjen nga dikush tjetër që pi duhan, qoftë në familje, lokale afariste apo ambiente të tjera.

“Fëmijët e ekspozuar ndaj pirjes pasive të duhanit në familje kanë një rrezik më të madh të marrjes së infeksioneve dhe sëmundjeve të mushkërive, duke përfshirë bronkitin, pneumoninë si dhe sëmundjet kardiovaskulare. Pirja e duhanit gjatë shtatëzanisë është faktor rreziku i lindjeve të foshnjave me peshë të ulët”, thuhet në njoftim.

Sipas KOMF-it, edhe pse në vitin 2008 Kosova ka miratuar Ligjin për Kontrollin e Duhanit, megjithatë qytetarët e Kosovës në masë të madhe shkelin ligjin kundër pirjes së duhanit.

Po ashtu thuhet se Ligji i duhanit nuk respektohet në shumë prej lokaleve afariste, madje raportimet e mediave kanë nxjerrë që ligji kundër pirjes së duhanit nuk respektohet as në disa prej institucioneve publike.

KOMF i bën thirrje Ministrisë së Shëndetësisë dhe komunave të zhvillojnë masa dhe programe për parandalimin e përdorimit të duhanit nga fëmijët. Kjo mund të realizohet përmes krijimit dhe sponsorizimit të shërbimeve në nivel qendror dhe komunal që mundësohen nga ofruesit shtetëror dhe privat, për të ofruar një shumëllojshmëri të shërbimeve dhe avokimit për vetëdijesimin e publikut të gjerë me theks të veçantë fëmijët, për dëmet dhe pasojat e konsumimit të duhanit dhe substancave të tjera narkotike.

KOMF i bën thirrje prindërve të mbrojnë fëmijët nga duhani duke eliminuar konsumimin e tij në prezencën e fëmijëve.

KOMF po ashtu i bën thirrje subjekteve afariste që operojnë në Republikën e Kosovës për respektimin e Ligjit për Kontrollin e Duhanit dhe organeve të mbikëqyrjes dhe ekzekutimit të kontrollit të përdorimit të duhanit, që të inspektojnë dhe ndalojnë pirjen e duhanit në të gjitha ambientet e ndaluara me ligj. /Telegrafi/

 

Exit mobile version