Site icon Telegrafi

KOMF apelon në Ditën Ndërkombëtare të Sindromës Down

Me rastin e ditës Ndërkombëtare të Sindromës Down, Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF i bën thirrje të gjitha institucioneve në nivel qendror e lokal, për të shtuar vëmendjen dhe investimin, si dhe për të garantuar përkujdesje dhe të drejta të barabarta për të gjithë fëmijët me Sindromën Down.

Sipas një komunikate, për fat të keq, pjesa dërrmuese e fëmijëve me aftësi të kufizuara në Kosovë, ende vijojnë të jetojnë në kushte të vështira dhe nuk i gëzojnë plotësisht të drejtat e tyre.

“Shërbimet sociale në komunitet për fëmijët me aftësi të kufizuara janë shumë të kufizuara. Për më tepër, këto shërbime janë të kufizuara edhe sa i përket fushëveprimit të tyre në komuna dhe lokacione të caktuara. Natyra sporadike e këtyre shërbimeve minimizon përfshirjen e plotë të fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe kufizon një plan afatgjatë rehabilitimi të nevojshëm që ndihmon fëmijët me aftësi të kufizuara të përmbushin potencialin e tyre”, thuhet në komunikatë.

Andaj, siç thuhet tutje, Qeveria e Kosovës dhe komunat duhet të investojnë më shumë duke e bërë prioritet mbrojtjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara, përmes ndarjes së buxhetit të nevojshëm për zbatimin e politikave, ligjeve dhe strategjive në sektorin e shëndetësisë, të mirëqenies sociale dhe atë arsimor.

“Të gjitha institucionet përgjegjëse duhet të ndërmarrin hapa konkretë e të menjëhershëm për të krijuar dhe zhvilluar shërbime si dhe për të mundësuar qasje, në mënyrë që të gjithë fëmijëve t’u sigurohen shërbimet adekuate pa diskriminim, e drejta për arsim cilësor, shëndetësi dhe mirëqenie. Mbrojtja dhe të drejtat e këtyre fëmijëve duhet të jenë prioritet si për qeverinë e politikëbërësit, ashtu edhe për gjithë shoqërinë sonë. Nisur nga kjo, KOMF apelon edhe një herë për angazhimin e gjithë institucioneve, vendimmarrësve dhe profesionistëve me mandat mbrojtjen e fëmijëve, për të përmirësuar situatën aktuale kritike, duke mbrojtur gjithmonë interesin më të lartë të fëmijëve”, përfundohet në komunikatë. /Telegrafi/

Exit mobile version