Cristiano Ronaldo shfaqi një prej paraqitjeve më të mira të tij me kombëtaren e Portugalisë, duke i siguruar ekipit të tij një barazim prej 3-3 ndaj Spanjës.
Nëse Portugalia ka marrë një pikë, ishte pikërisht falë portugezit, i cili realizoi tri gola, të tri situativ dhe falë cilësive të tij individuale.
Duke mos u ndalur shumë ne penalti, goli i dytë ishte një goditje e fuqishme, të cilën nuk e perceptoi si duhet De Gea, i cili gaboi. Ishte ky goli i epërsisë për Portugalinë.
Ronaldo kompletoi hetrikun pak minuta para fundit të takimit me një gol nga gjuajtja e lirë. Një goditje spektakolare, e pandalshme për cilin do portier. Ndoshta edhe ky gabim, i katërti rresht në tri ndeshje radhazi do t’i faturohet De Geas. Ishte ky goli i barazimit.
Dallimi mes golit të epërsisë së Ronaldos, që ishte goli i dytë dhe golit të barazimit është mjaft i madh. Dallimi është Spanja.
Vetëm dy ditë pasi e larguan përzgjedhësin e kombëtares, Julen Lopetegui, Spanja arriti të tregojë karakter të madh.
Harroni pikën dhe barazimin. Kjo Spanjë mes dy golave të Ronaldos është e frikshme, pikërisht për shkak të karakterit të treguar duke u kthyer dy herë nga disavantazhi për të krijuar edhe epërsi, krejt kjo në mënyrë të stuhishme.
Me trajnerin e larguar, me zemër të thyer, por më të bashkuar se kurrë, spanjollët përmbushën potencialin e tyre ekipor ndaj një ekipi të Portugalisë që arriti një barazim falë kualitetit të Cristiano Ronaldos.
Spanja dominoi për periudha të gjata në këtë takim dhe kishte rastin të përfundonte llogaritë më herët, po që se nuk do të ishte De Gea në portë, e po që se do të kishte pak fat.
Të gjithë po flasin për Cristiano Ronaldon. Respekt maksimal, superylli portugez i meriton ato.
Por, mbani sytë te Spanja. Të gjithë duhet t’ia kenë frikën kësaj kombëtareje që me zemër të thyer e hidhërim po luan për trajnerin e shkarkuar, i cili nuk ishte vetëm trajner, por anëtar i një familje.
Anëtar i një familje të fortë, me karakter të fortë.
Të gjithë mund të flasin për Ronaldon, por Spanja do të shkojë larg në këtë botëror!
/Telegrafi/