Organizata ndërkombëtare e Ndihmës dhe Zhvillimit, Oxfam, paralajmëron për rritje të padrejtësisë: në vitin 2016, sipas saj, një për qind e popullsisë botërore do të ketë grumbulluar aq shumë pasuri, sa e gjithë pjesa tjetër prej 99 për qind së bashku. Hendeku mes të varfërve dhe të pasurve pra do të vazhdojë të thellohet. Çka nënkupton, që të pasurit do të bëhen gjithnjë e më të pasur – të varfrit gjithnjë e më të varfër.
Por, kjo nuk është e vërtetë. E drejtë është që të pasurit pasurohen gjithnjë e më shumë dhe se edhe të varfrit bëhen gjithnjë e më të pasur – vetëm se jo kaq shpejt. Asnjëherë tjetër në historinë botërore nuk ka pasur njerëz nga shtresa të thjeshta që të jenë ngjitur në nivelin e mesëm sa në dy dekadat e fundit. E asnjëherë që nga shekulli i XIX-të numri i atyre që vuajnë nga uria nuk ka qenë më i ulët se sa sot – pavarësisht rritjes së numrit të popullsisë.
Gishti tregues i ngritur në mënyrë moralizuese prej sëndukut të kritikës së kapitalizmit në fakt mbulon një të vërtetë që është e vështirë të pranohet, se është ekonomia e lirë e tregut ajo që e ka mundësuar këtë mirëqenie për shtresa gjithnjë e më të gjera të popullsisë. Zhvillimi ekonomik në dhjetëvjeçarët e shkuar ka qenë pikërisht atje i fuqishëm, ku pas dështimit të sistemeve të rishpërndarjes socialiste iu dha një shans tregut – në Evropën Lindore dhe në Azi. Vërtetë i qëndrueshëm ky zhvillim ka qenë kudo atje, ku u vendosën liria dhe demokracia – e mjaft e rëndësishme – aksesi në edukim. Luftimi i varfërisë ndërkaq dështon kudo atje, ku regjimet e korruptuara apo totalitare përfitojnë për vete dhe mbysin qysh në filiz shpirtin krijues novator – pa të cilin është i pamundur përparimi.
Përfytyrimi se të pasurit notojnë në luks në kurriz të shumicës, është tërësisht i gabuar. Edhe nëse disa super të pasur paratë e tyre i hedhin për mallra luksi, kjo u shërben të gjithëve: prej çdo super-Yacht-i që prodhohet dhe çdo makine luksoze varen qindra vende pune. Shpikjet, që për herë të parë provohen në sektorin e kostove të larta, rëndom më vonë kalojnë në sektorin e prodhimit në masë. Çdo pushim i kaluar në luks dhe çdo markë e modës punëson degë të tëra të ekonomisë.
Shumica e të pasurve mirëqenien e tyre as që e demonstrojnë hapur. Një arsye për këtë është se pasuria asnjëherë nuk ka qenë më e padobishme se sa sot. Zhvillimet e vrullshme të teknologjisë u mundësojnë gjithsesi shtresave të gjera aksesin tek mallrat dhe shërbimet, që para pak dekadash ishin një ekskluzivitet vetëm i të pasurve dhe që ia vlente të paguaje për to. Por sot punëtorë të thjeshtë dhe nëpunës nga vendet e industrializura dhe ato në ekspansion kanë mundësi të paguajnë udhëtime me avion. Ato komunikojnë me të njëjtët smartphone dhe kompjuterë si edhe multimilionerët. E po ashtu ato kanë po aq akses në mjekësinë më moderne e madje edhe tek mjetet e prodhuara prej tyre.
E pra çfarë bën kjo një për qind e popullsisë me gjithë këto para? Është e qartë: investon dhe sërish e shton atë! Edhe kjo tek e fundit është përsëri në dobi të të gjithëve.