Komediani Deon Cole, i njohur për rolin e tij në serialin e Netflix “The Madness”, iu desh të linte shtëpinë e tij në Los Angeles pas përhapjes së zjarreve.
“Është një ditë shkatërruese! Dola nga spitali më herët, shumë i sëmurë, shkova në shtëpi dhe m’u desh të paketoja gjithçka që mundja që të mund të largoheshim. Ndërsa po drejtoja makinën pashë një zjarr që po dilte menjëherë pas shtëpisë sime. Është një makth”, ka shkruar Cole në Instagram.
Në video shihet se si e mbushi makinën me gjëra nga shtëpia. Më pas ai filmoi tym të dendur dhe zjarr që dilnin mbi një kodër në horizont nga makina.
“O zot, shiko këtë. Është pikërisht mbi shtëpinë time”, tha aktori i tronditur në klip.
Javën e kaluar, Cole ka shqetësuar ndjekësit me një foto nga spitali. Ai ka postuar një foto në Instagram ku shihet i shtrirë në një shtrat spitali duke marrë infuzion, por nuk ka treguar arsyen e qëndrimit në spital.
Komediani u bë një tjetër në serinë e të famshmëve që lanë shtëpitë e tyre për shkak të zjarreve që shpërthyen në Los Angeles.
Disa prej shtëpive të tyre u dogjën deri në themel. Midis tyre janë Mel Gibson, Joshua Jackson, Anthony Hopkins, Leighton Meester dhe Adam Brody. /Telegrafi/