“I sëmuri për mend”, komedia e Molierit i bëri dashamirët e teatrit nga Kumanova të qeshin dhe të argëtohen në teatrin e qytetit, transmeton Telegrafi Maqedoni.
Regjisori i kësaj pjese teatrale, Ahmet Jakupi theksoi se ka kaluar mirë me aktorët dhe se pritja e reagimet e publikut ia kanë shpaguar mundin dhe punën për vënien në skenë të kësaj komedie.
“Mendoj se sot ta punosh një komedi në këto situata që ndodhemi është shumë problem, publikun duhet të dish se sa ka forcë të qesh. Kjo shfaqje është shumë e rëndë për tu realizuar por aktorët e teatrit të dramës shqipe në Kumanovë, dhe unë si regjisor, jemi mundu me një platformë ndryshe prej situatave tjera ta bëjmë një shfaqje që mund ta bëjë publikun të qesh”, u shpreh Ahmet Jakupi, regjisor.
Edhe aktorët janë shprehur se kjo komedi është mirëpritur nga publiku.
“Ne pamë që ishte shumë i kënaqur publiku, sepse publiku të shpërblen me duartrokitje dhe sidomos kjo që ishte komedi, e mirëpresim sepse publiku na jep shumë motiv kur disponohet dhe vazhdimisht kur janë momentet për t’u argëtuar dhe ata i vlerësojnë ato momente, që na bënë ne të ndihemi të kënaqur si aktor që luajmë në skenë”, ka thënë Mirsad Abazi, aktor.
Komedia e Molierit u luajt nga Sefedin Shabani, Enver Halimi, Linda Shabani, Azra Sallahu, Mirsad Abazi, Ismail Kusumi dhe Shkumbin Zeqiri në regji të Ahmet Jakupit.
Rishfaqje të kësaj pjese teatrale do të ketë këtë të enjte ndërsa pas kësaj, kjo komedi do të shfaqet gjatë muajit shtator./Telegrafi/