Afër katër vjet pas miratimit të Ligjit për Trepçën, i cili mëtonte të rimëkëmbte dhe rivitalizonte këtë ndërmarrje, gjendja në këtë ndërmarrje ka mbetur e njëjtë, e edhe më keq.
Trepça po vazhdon të përballet me vështirësi të mëdha të funksionimit, me nivel të ulët të prodhimit dhe me mjete të kufizuara financiare, thonë përfaqësues të kësaj ndërmarrjeje dhe Sindikatës së minatorëve si dhe ekspertë të ekonomisë.
Kombinati metalurgjik nuk arriti të rimëkëmbet për shkak të, siç thuhet, ndërrimit të bordit menaxhues nga secila Qeveri e Kosovës, e cila gjatë këtyre viteve që nga miratimi i Ligjit për Trepçën në vitin 2016, është ndërruar katër herë.
Autoritetet e Kosovës, thonë përfaqësues të Sindikatës së Punëtorëve të Ndërmarrjes, treguan neglizhencë karshi ndërmarrjes.
Kryetari i kësaj sindikate, Gani Osmani, thotë për Radion Evropa e Lirë se kërkohet që Qeveria e Kosovës të marrë masa urgjente për të ndihmuar funksionimin e ndërmarrjes. Sipas tij, ndërmarrja ka ardhur në një fazë të vështirë financiare për shkak të menaxhimit jo të duhur që i është bërë ndër vite Trepçës.
“Kur një qeveri e re vjen nuk i merr parasysh ato planet e qeverisë së kaluar dhe i nis nga zero. I kemi dërguar kërkesë Isa Mustafës [ish-kryeministër] Ramush Haradinaj [ish-kryeministër]. Në shtetet e zhvilluara një kryetar qeverie që ndërrohet, ai që vjen e vazhdon punën aty ku e ka lërë qeveria e kaluar, por këtu te ne është e kundërta. Këtu në Kosovë, kur vjen një qeveri thotë se ajo e kaluara nuk ka ditur dhe kjo e reja fillon nga zeroja”, thotë Osmani.
Eksperti i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu, thotë për Radion Evropa e Lirë se një ndër faktorët që po gjeneron jostabilitet ekonomik dhe social është pikërisht jostabiliteti politik që po vazhdon ndër vite në Kosovë.
Sipas tij, në këtë drejtim, përveç sektorit privat që janë duke e paguar një çmim të shtrenjtë të këtij eksperimenti politik, janë duke dështuar edhe ndërmarrjet publike, në këtë rast edhe ndërmarrja Trepça.
“Kemi raste konkrete që me ndërrimin e bordeve gjithmonë po krijohet një shkëputje. Nëse në ekonomi nuk krijohet kontinuitet, do të jetë mjaft sfiduese edhe rimëkëmbja edhe zhvillimi. Një fat të tillë e ka edhe Trepça ku varësisht nga qeveria që vjen në pozitë, ndryshohen bordet, ndryshohet stafi menaxhues dhe kjo është një ngufatje për Trepçën”, thotë Gërxhaliu.
Trepça do të duhej të ishte shtylla e rimëkëmbjes ekonomike në Kosovës, por me një politizim dhe jostabilitet politik, shton Gërxhaliu, lë shumë për të dëshiruar zhvillimi i saj.
Dështimet e qeverisë në rimëkëmbjen e Trepçës
Në vitin 2018, Qeveria e Kosovës në atë kohë me kryeministër Ramush Haradinajn, kishte shpallur atë vit si vit të kompleksit metalurgjik Trepça. Por, që nuk ishte arritur të rifunksionalizohet ndërmarrja.
Kjo qeveri kishte vënë në plan edhe privatizimin e pjesshëm të Trepçës, por një gjë e tillë ishte kundërshtuar nga punëtorët, të cilët janë po ashtu aksionarë të ndërmarrjes.
Ndërkohë, Qeveria e Kosovës me kryeministër Albin Kurtin, kishte paraparë ringritjen dhe avancimin teknologjik të Trepçës në tri faza, që sipas tyre, kalojnë nëpërmjet riparimit të mjeteve ekzistuese, futjes së teknologjisë së re në flotacion dhe xehetari, dhe zhvillimin e metalurgjive të kimisë.
Por, brenda periudhës 50-ditore sa ishin në qeveri, Qeveria Kurti nuk kishte arritur të bëjë ndryshime të cilat do të ndihmonin Trepçën që të dalë nga kriza financiare.
Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti kishte shkarkuar bordin e atëhershëm të Trepçës dhe kishte emëruar një bord të ri.
Qeveria aktuale e kryeministrit Avdullah Hoti, më 15 korrik ka hapur konkurs për Bordin mbikëqyrës të ndërmarrjes publike Trepça.
Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit nuk i është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se cili do të jetë plani i kësaj ministrie për të rimëkëmbur ndërmarrjen Trepça.
Ndërkaq, ministri Blerim Kuçi në qershor të këtij viti, ka raportuar para Komisionit për ekonomi, punësim, tregti, industri, ndërmarrësi dhe investime strategjike të Kuvendit të Kosovës, lidhur me gjendjen në Trepçë dhe ndërmarrjet publike.
Ai ka thënë se synojnë një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik përmes hapjes së rrugës për investime, rritjen e vlerës së aseteve dhe avancimin e kapitalit tekniko-teknologjik, si parakusht për rivitalizimin e Trepçës, si një ndërmarrje me rëndësi të veçantë dhe jetike për mirëqenien sociale të punëtorëve dhe interesin e përgjithshëm publik.
Trepça kërkon investime
Xhafer Peci, drejtor i minierës me flotacion në Stantërg, thotë se Trepça ka potencial të madh dhe kjo ndërmarrje mund të vihet në shërbim të zhvillimit të përgjithshëm ekonomik të vendit, vetëm se, sipas tij, duhen investime.
“Më e rëndësishmja, pasuria është, objektet kapitale janë, makinat vitale janë aty. Problemi është mosha e vjetër e minatorëve, pasi që nuk ka pasur punësim. Gjatë këtyre viteve një pjesë e madhe e minatorëve pritet të pensionohen. Përvoja dhe eksperienca e tyre nuk është përcjellë te gjeneratat tjera dhe punësimi ka qenë i rrallë”, thotë Peci.
Kombinati Trepça aktualisht merret me nxjerrjen dhe përpunimin e mineraleve, kryesisht të plumbit dhe zinkut dhe është i vetmi prodhues i këtij lloji në Kosovë. Por, prodhimi krahasuar me të kaluarën është shumë i ulët.
Sipas të dhënave zyrtare, nga viti 1945 e deri në periudhën para vitit 1990, miniera prodhonte rreth 600 mijë tonë xehe në vit. Kurse sot, nga aty, sipas Pecit, nxirren rreth 150 mijë tonë xehe.
“Po prodhohet rreth 13 mijë tonë në muaj. Tash çmimet e metaleve ka nisur të rriten pasi që kanë qenë të ulëta. Shpresat janë që këto çmime të rriten. Duhet të vi një kohë që punëtorët e ri të certifikohen dhe të marrin përvojë të minierës, në mënyrë që edhe prodhim të ketë më shumë”, thotë Peci.
Trepça operon në dy njësi, në jug dhe veri të Mitrovicës.
Por, përveç aseteve dhe degëve të ndryshme të shpërndara në rajone të ndryshme, jo vetëm në Republikën e Kosovës, por edhe jashtë saj, ka qenë një prej ndërmarrjeve më të mëdha të ish-Jugosllavisë në vitet 80-ta, me mbi 20 mijë punëtorë.
Trepça sot brenda Kosovës përbëhet prej 41 njësive të ndryshme, që grupohen kryesisht në tri komplekse të mëdha: në miniera me flotacione, në parkun industrial në Mitrovicë dhe në kompleksin e shkritoreve.
Por, një pjesë e madhe e këtyre kapaciteteve janë të degraduara, për shkak të mungesës së mirëmbajtjes ose mungesës së investimeve, e madje edhe keqshfrytëzimit në të kaluarën.
Përveç aseteve në Kosovë, 31 prona të këtij kombinati gjenden në republikat e ish-Jugosllavisë, duke përfshirë këtu fabrika, zyra dhe objekte tjera. /REL/