Site icon Telegrafi

Kombin Kosovar e përbëjnë vetëm ata shtetas kosovarë që e kanë për zemër shtetin e Kosovës

– Shumë veta thonë se “shteti i Kosovës është i imponuar dhe se ne e kemi pranuar vetëm si tranzicion drejt bashkimit me Shqipërinë”. Ky qëndrim do të thotë që këtë shtet mund ta vjedhësh sa të duash se ai “edhe ashtu nuk do të ekzistojë se ne kemi mëmën Shqipëri”.

– Vërtetë shteti i Kosovës u krijua me ndihmën e amerikanëve dhe aleatëve të tyre, prandaj shumica e klasës politike dhe qytetarëve nuk ia dinë vlerën lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, e vjedhin e shkatërrojnë si një krijesë të panatyrshme, por Kosova ka edhe të tillë që e duan shtetin e Kosovës.

A funksionon kombi kosovar nëse pakicat etnike s’pranojnë të jenë pjesë e tij?

Po. S’është e domosdoshme që të gjithë shtetasit të ndjehen apo të konsiderohen pjesë e kombit që është pronar i shtetit në fjalë. Kombin Kosovar e përbëjnë vetëm ata shtetas që e kanë për zemër shtetin e Kosovës. S’është e domosdoshme që edhe pjesëtarët e pakicave të jenë pjesë e kombit kosovar. S’ka asgjë të keqe që edhe nëse janë, por s’është e domosdoshme të jenë. Multietniciteti i kombit vjen në shprehje në stade më të avancuara të zhvillimit të kombit. Para 50 viteve, shtetasit amerikanë me ngjyrë lëkure të zezë nuk ishin pjesëtarë të kombit amerikan, por sot, ata janë. Sot numri një dhe dama e parë e kombit amerikan janë afro-amerikanë.

Si mund ta dimë se një shtetas i Kosovës i përkatësisë etnike turke është bërë pjesë e kombit kosovar apo jo?

Kur të luaj futboll kombëtarja turke me atë kosovare a e mbanë anën e Kosovës apo të Turqisë? Nëse në këtë rast ai është tifoz i kombëtares kosovare është pjesëtar i kombit kosovar. Nëse zemra i rreh për fitoren e kombëtares turke ai është vetëm shtetas i Kosovës, pjesëtar i një minoriteti etnik.

Cilit komb i takojnë shqiptarët e luginës së Preshevës, etj?

Në botë ekzistojnë rreth 8000 etni, por kombe janë më pak se 200. S’është e thënë që një qytetar domosdoshmërisht t’i takojë ndonjë kombi. Çdo qytetar ka të paktën një shtetësi dhe një përkatësi etnike që e fiton me lindjen nga prindërit e vet (ose është etnikisht i përzier nëse prindërit e tij janë të etnive të ndryshme), por nuk është e thënë t’i takojë një kombi të caktuar.

Shqiptarët e Preshevës kanë përkatësinë etnike shqiptare dhe shtetësinë serbe. Ata janë minoritet në Serbi. S’mund të konsiderohen pjesë e kombit serb edhe pse kanë shtetësinë serbe, sepse këtë shtetësi ata e kanë prej zori e jo prej vullneti.

Kur ndeshet kombëtarja e Serbisë në futboll me kombëtaren e Shqipërisë atyre zemra u rreh për fitoren e Shqipërisë. Ndërsa për të qenë pjesë e kombit shqiptar ata i pengon mospasja e shtetësisë shqiptare.

Pse bullgarët e Maqedonisë janë komb e shqiptarët e Maqedonisë nuk janë komb?

Sepse bullgarët e Maqedonisë e kanë për zemër shtetin maqedon, kurse shqiptarët e Maqedonisë janë pjesë e këtij shteti pa vullnetin e tyre. Kur luan kombëtarja maqedone me atë bullgare, bullgarët e Maqedonisë bëjnë tifozllëk për Maqedoninë, kurse kur luan Maqedonia me Shqipërinë, shqiptarët e Maqedonisë janë me Shqipërinë.

Pse gjermani, francezi e italiani i Zvicrës i takojnë të njëjtit komb (kombit Zviceran) ndërsa shqiptarët dhe bullgarët e Maqedonisë nuk i takojnë të njëjtit komb?

Këtë e përcakton pronësia mbi shtetin dhe ndjenja ndaj tij. Kur Zvicra luan me Gjermaninë, Francën apo Italianë, zviceranët, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike, janë me Zvicrën. Ata mund të jenë në anë të ndryshme kur luan Gjermania e Franca: gjermani zviceran është me Gjermaninë e francezi zviceran me Francën, por në rend të parë ata janë për Zvicrën e jo si shqiptarët e Maqedonisë që janë me Shqipërinë jo vetëm kur ajo ndeshet me Greqinë, por edhe kur ajo ndeshet me vetë Maqedoninë.

Kush ka më shumë obligime ndaj shqiptarëve të Preshevës e të Malit të Zi: shteti i Kosovës apo ai i Shqipërisë?

Njësoj. Tirana e Prishtina do të duhej të kishin koordinim për këtë punë.

A është ngritja e kombit kosovar përçarje mes shqiptarësh?

Jo. Është avancim. Nuk është ngritje muresh, por thyerje muresh mes shqiptarësh. Jeta e dy kombeve në Ballkan mbi bazën e etnisë shqiptare forcon pozitën e komuniteteve shqiptare në gjithë shtetet tjera. Dy vota në Bashkimin Evropian, në NATO, në OKB janë më tepër se një.

A mund të ekzistojë shteti i Kosovës pa njerëzit që e duan atë?

Çdo shtet është krijesë e një kombi, është pronë e atij kombi që e ka krijuar. Si ka mundësi që një shtet i njohur nga 75 shtete tjera të ketë kaq dilemë rreth pronarit të vet dhe jetëgjatësisë së tij?

Shumë veta thonë se “shteti i Kosovës është i imponuar dhe se ne e kemi pranuar vetëm si tranzicion drejt bashkimit me Shqipërinë”. Ky qëndrim do të thotë që këtë shtet mund ta vjedhësh sa të duash se ai “edhe ashtu nuk do të ekzistojë, se ne kemi mëmën Shqipëri”.

Vallë a nuk është turp që shumica etnike prej 90% në Kosovë të sillet politikisht si një minoritet duke quajtur Shqipërinë shtet amë?

Atëherë lexues i nderuar më thuaj se cili është dallimi mes qëndrimit të këtyre njerëzve ndaj Kosovës dhe qëndrimit të shqiptarëve të Preshevës ndaj shtetit serb? Dallimi ekziston në atë se shteti i Serbisë mund të funksionojë edhe pa dashurinë e shqiptarëve të Preshevës, sepse ai shtet gëzon dashurinë e sakrificën e 8 milionë serbëve.

Por si mund të ekzistojë shteti i Kosovës nëse nuk e gëzon dashurinë e shumicës së qytetarëve të tij? Si mund të ekzistojë e të funksionojë shteti i Kosovës nëse nuk i ka heronjtë e vet, nëse nuk i ka dëshmorët e vet, nëse nuk i ka idealistët e vet?

Shteti i Kosovës i ka heronjtë e vet, i ka dëshmorët e vet. Ata janë themelet e kombit kosovar. Vërtetë shteti i Kosovës u krijua me ndihmën e amerikanëve dhe aleatëve të tyre, prandaj shumica e klasës politike dhe qytetarëve nuk ia di vlerën lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, e vjedhin e shkatërrojnë si një krijesë të panatyrshme, por Kosova ka edhe të tillë që e duan shtetin e Kosovës, që kanë sakrifikuar për të dhe që ia dinë vlerën lirisë e pavarësisë së Kosovës. Ata tani mund të jenë pakicë, por një ditë do të jenë shumicë. Dashuria ndaj shtetit të Kosovës do t’i bëjë të jenë me tepër se një komunitet. Do të jenë vet kombi: Kombi Kosovar.

Exit mobile version