– Ndryshimi i qëndrimit të Lëvizjes “Vetëvendosje” lidhur me simbolet kombëtare të Kosovës hap i madh pozitiv për Kosovën.
– Sa injorantë tregohen politikanë kosovarë që e kanë votuar planin e Ahtisaarit e thonë se “flamuri i Kosovës është flamur shtetëror e jo kombëtar”. Plani i Ahtisaarit në pikën 1.7 thotë shprehimisht: “Kosova duhet të ketë simbolet e veta kombëtare, përfshirë këtu flamurin, stemën dhe himnin kombëtar…”.
Ditë më parë isha në një debat në RTK për çështjen e flamurit të Kosovës së bashku me përfaqësuesin e “Vetëvendosjes”, Xhelal Sveçla. U befasova kur dëgjova se “Vetëvendosja” është për atë që Kosova e Shqipëria të kenë flamur të ndryshëm, por që nuk dallojnë shumë. Ky është një qëndrim tjetër nga ai i deritashëm që Kosova e Shqipëria të kenë të njëjtin flamur.
Qëndrimi i deritanishëm, jo vetëm i “Vetëvendosjes”, por edhe i një pjese të madhe të shoqërisë kosovare se Kosovës iu “imponua” flamuri nuk është i habitshëm kur akoma në tekstet tona shkollore mësohet koncepti i Stalinit për kombin dhe asnjë koncept tjetër. Akoma më tepër kur politikanë kosovarë që e kanë votuar planin e Ahtisaarit thonë se “flamuri i Kosovës është flamur shtetëror e jo kombëtar” që është një nonsens. Plani i Ahtisaarit në pikën 1.7 thotë shprehimisht: “Kosova duhet të ketë simbolet e veta kombëtare, përfshirë këtu flamurin, stemën dhe himnin kombëtar…”.
Dhe kur anëtarë të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës e ngatërrojnë konceptin e kombit me konceptin e etnisë, njeriu mund të mendojë se kjo është pasojë e asaj që kemi akademikë që përveç serbishtes nuk dinë asnjë gjuhë të huaj. Por, jo vetëm kaq. Duket se akademikët në fjalë nuk e kanë lexuar mirë as Gjergj Fishtën. Në të kundërtën, do ta kishin kuptuar se të paktën për Gjergj Fishtën, por edhe për rilindësit tjerë, ka një dallim thelbësor mes konceptit të kombit dhe të etnisë. Ndoshta akademikët tanë për këtë nuk kanë faj. Përderisa i gjithë sistemi ku ata u shkolluan ka qenë me bazë marksiste-leniniste edhe kur kanë lexuar Gjergj Fishtën, nuk janë thelluar në konceptin e tij për kombin, por u kanë rënë në sy detaje tjera…
Për të tërhequr vëmendjen jo vetëm të tyre, por të mbarë opinionit të gjerë, e pashë të rrugës t’ju sjell një artikull të Gjergj Fishtës të vitit 1916 me titull “Udha që duhet ndjekë”. Natyrisht ky nuk është artikulli i vetëm i Gjergj Fishtës ku trajtohet tema e komb-ndërtimit shqiptar por po e jap këtu ngaqë është më i shkurtëri. Sigurisht shkrimi i tij më i artikuluari në këtë drejtim është ai: “Tash që u bë Shqypnija, duhen ba shqyptarët”, të cilin i ftoj lexuesit ta gjejnë e ta lexojnë:
Udha që duhet ndjekë
Shûm pûnë t’mdhaja kan ndodhë n’kto kohë të mrame n’shekull e sidomos n’Shqypni! N’vjetë 1908, Konstitucjoni i Tûrkis; n’1909-1910 kryengritja shqyptare e ushtria i Turgut Pashës; n’1912, lufta e Ballkanit e indenpendencja e Shqypnis e lufta europiane në 1914; te vona, n’1915, t’ardhunt e malazezeve në Shkoder e t’hinkut e serbve neper Shqypni; në e s’mramit t’himt e ushtris auto-ungare nder ne.
Por nder t’gjitha kto pûnë e ndodhi t’mdha, neper t’cillat u pershkruem n’tetë vjet, shka fituen na e n’shka xuem mend mâ teper? Mjerisht do të thomë se kurr mâ teper nuk âsht diftue fmî shqyptari, si n’kto kohë të mrame, e se jo veçse kemi fitue gjâ mâ teper, por edhè shka na kje dhânë neper tjerë, u xuer prej nesh. Mjaft me ja lshue syt pa pajë e me gjak t’ftoftë, si i thonë, vepres, qi na kemi zhdrivillue n’kto tetë vjetë, pse menjiherë kemi me vertetue se na jemi prû, jo ndryshe, veç si fmî e si zeza e vedvedit qi kemi kênë gjithmonë. Po e xâm: Mretin tonë nuk e ka nxjerrë prej Shqypniet as inglizi as Franca as Rusia vetun, por e kan xjerrë shqyptarët!
Veç po se megjithktâ nuk mund u vêhet shûm faj shqyptarve; pse per me pasë mûjtë me nxjerrë ndoj fare fitimit prej ktyne ndrrimevr e ndodhive t’mdha, ishte lypë qi shqyptari t’kuptonte mâ para se shka âsht nji Shqypni e madhe, nji atdhe qi perfshîn kombin marë. Por, per fat t’keq, kto pûnë shumica e madhe e shqyptarve nuk ka pasë si me i diejt, ase mos tjeter nuk ja u ka ndie nevojen; pse gjênda e jetës, n’t’cillen e ka pasë perngujue fati i zi i veti e egoizmi e zêmra e keqe e njerzve s’i ka lane me i diejt a me i ndie kto pûnë. Shteti ase atdheut, t’cillin e lypë aj shpirti e natyre e nierit, nuk âsht rrethi i hapët i atij vendit, kû jetojnë t’gjith njerzt, qi kan s’bashkut gjakun, gjuhën, fén etj., por âsht njaj rreth vendit e njaj numer gjindsh, me t’cillët nieri ka s’bashkut, jo vetem gjakun e gjûhen, por edhè interesat e veta, e neper t’cillët atij i bâhet mâ i lét e mâ i udobët gjallimi mí shekull.
Tashti, tuj kênë qi prej mungese t’mjeteve t’perpjekunit, fiset e krahinat e Shqypnis s’kan pasë mundet me u thanë, kurrnjifarë marredhanjet njani me tjetrin, kshtû mund t’thohet se, me e peshue pûnen hollë-hollë, shteti ase atdheu i shqyptarit ka kênë, jo Shqypnia e madhe nder kater vilajete; por kater kufîjt e bajrakut, ase t’asaj krahînës s’vet; e prandej pûna e Shqypnîs marë nuk ka mujtë me e pershkue shpirtin e tij sa duhet e sa e lypë e mira e nji atdheut marë.
Ç’interesë ka mujtë me pasë shalnjani, i pa shkollë, me vû kryet e vet n’rrezik per korçarin, me t’cillin s’ka pasë der sod kurrfarë t’perpjekunit? Kshtu, kroati e serbi nji fisit jânë, por megjithktà sod gjinden n’luftë njani me tretrin; pse, tuj pasë interesat e jetës, t’dame prej shoqishojt, ata edhè shtetin e atdhen e kan t’dam. Gjaku e gjûha nuk janë atà qi e perbajnë atdhen: janë vetem mjete, neper t’cillat njerzt mâ udobisht i perpjekin intereset e jetës njani me tjetrin. Nuk mund i vêhet, pra, shum faj shqyptarit, pse nder pûnë e ndodhi t’ktyne kohve t’mrame, nuk ka diejt me u sjellë e me u prû, si e ka lypë nevoja e interesja e Shqypnis marë. E prandej, edhè populli shqyptàr nuk ka me mûjtë kurr me u vü në hulli t’gjytetnìs, po nuk u perftue n’mênde të tij shllimi ase ideja e jetës s’shoqnueshme; e se rrethi i nji bajrakut nuk i mfajton atij, per me e bâ t’udobët e t’lèt gjallimin mí shekull.
Per ket arsye andej sejcilli shqyptàr a i huej, qi verevertè don me e pa t’gjytetnuem kombin tonë, aj mâ s’parit do t’mundohet me bâ, qi shqiptari ta kuptojë e ta ndiej nevojen e jetës së shoqnueshme, tuj ja sjellë t’gjitha njato njete, neper t’cillat perbâhet shoqnija njerzore e gjytetnueme, e tuj u mundue me ja largue elementat, qi i kindershtohen ksaj jete t’shoqnueshme.
Mjetet mâ t’parat, per me u ndertue shoqnija njerzore e gjtetnueme, janë t’perpjekunat e mêndes e t’vepres s’nieir me mênde e veper të njerzve tjerë; pse vetem n’ket mnyrë njerzit munden me i nîmue njani-tjetrin, e kshtû me e ba mâ t’lèt gjallimin mí shekull, shka âsht qellumi i parë i shoqnìs. Kur nieri shef se n’shoqni jeta gzohet mâ mirë, atherë arsyja vetë i thotë, qi mos me u largue shoqnijet, por me e rregullue sa mâ mirë, e me e hapë e zhgjânue njaq, sa t’lypet per me u bâ gjallimi i lèt e i kandshem. Pra n’daçim me e pa vendin tonë t’gjytetnuem, mâ s’sparit do perkukdesë qi të hapen sa mâ shumë shkollë fillestare të mira n’Shqypni e qi neper nji shtampë t’ndershme, t’shperndahen libra t’vjefshem e fletore t’arsyshme n’popull; s’dyti duhen çilë rruga e pertrîe mjete letsie n’t’perpjekun t’njanit vend me tjetrin. N’ket mnyrë shqyptarët kan me i perpjekun mendimet e shllimet e veta, edhè vepra e forxa e tyne ka me kênë e bashkueme.
Duket se t’verteten e ktyre fjalve e Nalta Komandë Ushtarake Austro-hungareze e ka kuptue mâ s’mirit; pse, ç’me ditë qi vûni kamë n’Shqypni, kujdesi mâ i parë i saj kjë t’çilunit e rrugave; e porosia mâ e forta kjo, t’hapunit e shkollave fillestare n’Shqypni. Prandej çdo shqyptàr i urtë e i mêçem s’do udhët e mara e shkollat e mira janë agimi i parë i gjytetnìs. E ta diejn shqyptarët, qi dersa t’ngurrojn me pûnue rrugat e me la per shkolla, s’kan me kênë kurr popull i dêjë me pasë vetvetsi morale n’shekull; pse edhè ne ja u dhaçin tjerët, kan me e shpartallue kta vetë, sikurse edhè i kemi shpartallue.