Çfarë do të thotë të jesh pjesëtar i një kombi? E në këtë aspekt, çfarë do të thotë të jesh shqiptar?
Një shpjegim domethënës, për pyetjet e më sipërme, gjithmonë sfiduese për personin, por edhe për bashkësinë njerëzore, e jep shkrimtari erudit Jorge Luis Borgesi, te tregimi Ulrika në formën e një dialogu konciz.
Ajo më pyeti e menduar: Ç’do të thotë të jesh kolumbian?
– Nuk e di, -iu përgjigj. – Është një akt besimi.
Kombi është një akt besimi. Asgjë ma shumë e as më pak. Pjesëtarët e një kombi bashkohen rreth idealeve të veta, duke krijuar kulturën e përbashkët dhe kështu duke e shndërruar kombin në një akt besimi, rreth së cilit rrinë të bashkuar të gjithë pjesëtarët e tij. Vetëm duke besuar te e kaluare e tij (që është traditë e përbashkët), pastaj te ambiciet e tij, e sidomos te gjuha dhe kultura, pjesëtarët e një shoqërie e ndjejnë kombin si një akt besimi dhe krijojnë kohezion e harmoni të brendshme. Pikërisht për këto arsye, shumë njohës të çështjeve shoqërore, mbrojnë idenë se kombet janë ma shumë unitet gjuhësore dhe kulturore, sesa unitet racore.
Nga kjo që thamë, del se kombin e ushqejnë marrëdhëniet e brendshme strukturore, që janë të fuqizuara sidomos nga kultura dhe gjuha, si shtyllat fondamentale mbi të cilat ngrihet dhe mbahet kombi. Këto elemente fondamentale krijojnë heronjtë e një kombi, figurat eminente dhe etërit e tij, tek të cilat besojnë pjesëtarët e kombit, sidomos në çaste të vështira. Në këtë mënyrë, krijohet ndjenja e besimit dhe kështu kombi bëhet një akt besimi që vetvetiu i shuan dallimet e mundshme brenda vetes.
Për shqiptarët, kombi a është akt besimi? Çfarë do të thotë të jesh shqiptar, sot, në këto realitet të reja gjeopolitike që janë krijuar sidomos në dy dekadat e fundit? A kanë shqiptarët përgjigje unike për këto pyetje esenciale?
Po ta kërkonim një përgjigje në këtë pyetje, ajo do të varironte dhe do të varej nga kategorizimet që ekzistojnë brenda kombit. Kohezioni i brendshëm te ne është prekur pikërisht në kohën kur shqiptarët jetojnë më të lirë se kurrë më parë. Në këtë kontekst, përgjigjen sigurisht s’e jep të njëjtë ai që e ndjen veten brenda identitetit evropian të shqiptarëve, në raport me atë që s’e ndjen. Për më tepër, kjo përgjigje vjen e komplikohet, nëse merren për bazë figurat kryesore kombëtare, etërit e kombit, rreth të cilëve kohëve të fundit janë shfaqur jo pak dallime. Këto dallime shpeshherë ngrehin pikëpyetje sfiduese para shqiptarëve. E një nga ato sigurisht është edhe pyetja, nëse është kombi ynë, një akt besimi, rreth të cilit ne ushqejmë ndjenjat e përbashkëta të përkatësisë apo kombi është një arenë ku ne vringëllojmë shpatat e ndarjeve?
Këto pyetje të shumta, natyrisht kërkojnë analiza dhe interpretime të shumta e nga dije të ndryshme. Një gjë është më se e sigurt. Në këto pyetje, shqiptarët s’ kanë qëndrime unike dhe kjo duhet ta shqetësoj çdo kënd që merret me çështje të kombit. Kjo sidomos duhet t’i shqetësoj elitat (nëse kanë mbet të tilla) dhe edukatorët e këtij kombi. Këto dilema vazhdojnë ta rëndojnë jetën tonë kombëtare, sidomos viteve të fundit, prej kur brenda nesh kanë filluar të rihapen debate për identitetin kombëtar shqiptar dhe dilemat nëse ai është unik apo i fragmentuar. Ndërkaq, këto debate, kanë marrë kahe më dëshpëruese, sidomos pas shfaqjes së një fryme çoroditëse neootomane në jetën tonë kombëtar. Kjo frymë, e cila së pari është stimuluar nga qarqe turke, me kohë zuri vend te disa pseudo-intelektualë shqiptarë, të përkrahur po ashtu nga disa pseudo-historianë dhe në këtë mënyrë është ngritur mjerisht deri në nivelet e larta qeveritare.
Debatet për identitetin kombëtar dhe përkatësinë civilizuese të shqiptarëve, kanë rishfaqur prirje dhe orientime të ndryshme brenda jetës sonë kombëtare. Pikërisht këto debate, kanë stimuluar një klub të strehesave, siç i quan Ismail Kadare, ta çmitizojnë figurën e heroit kombëtar, Gjergj Kastriotin e Nënë Terezen. E sulmet s’mbarojnë këtu, por vazhdojnë me teoritë për kombin kosovar e gjepura tjera, se gjoja perandoria osmane s’na paska qenë pushtuese, por administruese.
Rihapja e këtyre temave edhe njëherë e ka parashtruar nevojën e qartësimit të raporteve tona me vetveten. Pikërisht për këtë, shkrimtari ynë më i afirmuar dhe një nga mendjet më të mprehta, Ismail Kadare, ka shkruar një libër testamentar, “Mosmarrëveshja-Shqipëria përballë vetvetes”, ku me një analizë të shkëlqyeshme e vë shqiptarin para përgjegjësisë kombëtare, që të qartësojë veten dhe ndërgjegjen e tij në raport me të shkuarën dhe kështu të hap shtigje për të ardhmen.
Derisa të krijojmë një kohezion të brendshëm dhe një harmoni kombëtare, që pyetjeve dhe dilemave idetintare t’iu japim zgjedhje përfundimtare, ne s’do të qetësojmë ndërgjegjen e trazuar kombëtare. Këtë sigurisht s’mund ta bëjmë pa e respektuar traditën e përbashkët, kulturën e përbashkët me shenjat e tiparet dalluese identitare. Kjo është mënyra e domosdoshme për t’i kultivuar ndjenjat e përkatësisë unike kombëtare. Vetëm në këtë mënyrë, krijojmë ndjenjën e përkatësisë së përbashkët për kombin tonë dhe flakim dallimet që janë rrit dukshëm viteve të fundit, por që janë artificiale.
Historia s’duhet lejuar të bëhet barrierë për të ndërtuar të sotmen tonë kombëtare. Atë duhet ta marrim si një pikënisje për rrugëtimet e ardhshme.
Andaj, është në ndërgjegjen e klasës intelektuale, t’ju jap përgjigje të qartë këtyre dilemave që për nga rëndësia, tejkalojnë gjitha debatet e pakuptimta që bëhen ndër ne për politikën dhe degradimet që ka pësuar ajo, për paaftësinë e klasës sonë politike me çua vendin përpara, ngase këto degradime e çoroditje, vijnë nga fakti se kombi ende s’është bërë akt besimi për gjithë shqiptarët.
Realitet e reja që janë krijuar nder shqiptar, çuditërisht s’na kanë unifikuar në pyetjet e lartështruara. Përkundrazi, sot më shumë se kurrë sulmohet heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti, humanistja dhe nderi i shqiptarëve në botë, Nënë Tereza, e kështu me radhë. Pikërisht këtu ka filluar çarja e rrezikshme brenda nesh.
Do te ishte skajshmërisht e trishtueshme dhe fatalisht katastrofale p.sh. të mendohet se kombi kosovar është zgjidhja ma e mire për të tashmen e shqiptareve qe jetojnë në këtë pjesë të gjeografisë politike shqiptare. Kjo nëse s’është punë miopie politike e kulturore, është veprim qëllimkeq që shqiptarëve ju vë edhe një digë të rënd në rrugën e konsolidimit dhe avancimit.
Nga këto përsiatje, e shohim sa e domosdoshme është nevoja për një ripërtëritje shpirtërore, duke ju kthyer etërve të kombit, atyre që na formësuan dhe jetësuan idenë kombëtare. Krizat e shpërfaqura identitare, janë një sinjifikativ i qartë se ndër ne duhet një rilindje, që t’ju japim përgjigje përfundimtare këtyre dilemave të makthshme. Vetëm kësisoj mund t’i tejkalojmë barrierat e rënda të së sotmes, që shpeshherë ju detyrohen të kaluarës sonë dhe pastaj të hapim shtigje të reja, për t’u integruar brenda familjes perëndimore, me dinjitet dhe respekt.
Ma shumë se për këndellje politike, kemi nevojë për këndellje shpirtërore, që përgjumja jonë përballë këtyre dilemave të na zgjojë dhe ta shohim realitetin në sy.
Empiria na ka dëshmuar faktin se popujt që s’marrin mësim nga e kaluara e tyre, janë të destinuara të ripërsërisin gabimet e njëjta.
Faik Konica, eruditi i pashembullt dhe kritiku më i madh shqiptar, që fishkëllente pa kompromis plagët dhe cenet e karakterit shqiptar, thoshte se "…është nevoja t’i japin shpirt kombit shqiptar. Ky është problemi me i madh i Shqipërisë". Pas kaq dekadash, qyshkur Konica pikasi me pedanteri prej eruditi këtë nevojë, që shkonte në drejtim të bërjes së shqiptarëve, pas bamjes se Shqipërisë, ne e shohim sesa aktuale është kërkesa e tij sot.
Shqiptarëve ju duhet një ide e qartë për të ardhmen, një ideal i shëndoshë, për te triumfuar kundruall kësaj gjendje dhe mendësie jondërtuese. Për ta zhdukur te keqen, duhet krijojmë idealin e te mirës e këtë ideal duhet ta ndjejnë gjitha shtresat e kombit. E, që të ndodh kjo, duhet një shkollë e re kombëtare, që do të motivohej nga qëllime sublime dhe ideale të larta kombëtare. Kjo shkollë në viteve të indipedencës ka ekzistuar dhe dha fryte të dobishme. Tash duhet ta rifunksionalizojmë. Etërit e kombit, duhet t’i bëjmë pararojë për të sotmen dhe udhërrëfim për të ardhmen, ndërkaq filozofinë e pastër oksidentale, që e promovuan pa ekuivokë gjithë mendimtarët shqiptarë, në kohën kur u bë Shqipëria, duhet ta rikthejmë dhe ta vejmë në punë, në funksion të interesit të përgjithshëm kombëtar. Asnjë rruge tjetër, s’është e sigurt, veçse e shton agoninë tone te gjatë.
Përcaktimi kulturor dhe civilizues i shqiptareve vjen natyrshëm nga shtrati kulturor dhe gjuhësor perëndimor, ku bën pjesë edhe kultura jonë që nga fillesat e saj e gjer me sot. Devijimet neper kohë kanë qenë të shtrënguara here nga pushtuesit e here nga ideologjitë shtrembëruese, por shqiptaret asnjëherë s’janë shkëput kulturalisht nga perëndimi, prandaj gjitha ato ide që vijnë si barriera për të sotmen dhe përpiqen ta fragmentojnë të kaluarën, shqiptarët e ndershëm e kanë për detyrë t’i braktisin dhe t’i hedhin në koshin e mbeturinave kundërmuese. Në këtë mënyrë, kombi bëhet një akt besimi rreth së cilës rrimë gjithë të bashkuar.