Site icon Telegrafi

Kombëtarja i bënë ofertë trajnerit të Bashkimit

Këtë e ka konfirmuar edhe vetë trajneri malazez. “Kam marrë ofertë nga Shqipëria, që ta drejtoj ekipin gjatë eliminatoreve. Por, fillimisht duhet të bisedoj me drejtuesit e klubit të Bashkimit, dhe të marr edhe një mendim nga këta të fundit”, ka thënë për “Zërin” Mijoviç, i cili druan se edhe nëse e pranon ofertën nga Tirana, nuk do të ketë kohë të mjaftueshme në dispozicion për ta përgatitur mirë ekipin.

Për më tepër, ia ka bërë një kërkesë shumë sfiduese FSHB-së, thuajse e parealizueshme, që ndërlidhet me pjesëmarrjen e Kosovës në të njëjtat eliminatore. “Edhe drejtuesve të Kombëtares Shqiptare ua kam bërë me dije se nëse nuk vijnë ata lojtarë të cilët kanë qenë edhe më herët nuk do të pranoj këtë detyrë”, ka theksuar ai.

Synon trofe me Bashkimin

Derisa po negocion me Shqipërinë, Petar Mijoviç po e ruan koncentrimin te Bashkimi, me të cilin po shkëlqen si në Kosovë ashtu edhe në Ligën Ballkanike. “Kam ambicie të mëdha për këtë edicion, pasi ne kemi bërë gjëra të mëdha gjatë këtyre ndeshjeve. Nuk është lehtë të luash ndaj Pejës dhe Prishtinës, pasi ato janë ekipe me buxhet shumë më të madh sesa ekipi ynë”, theksoi Mijoviç. “Jemi duke punuar mirë dhe kjo besoj se në fund do të na shpërblehet. Ne kemi arritur që të futemi në tetë ekipet më të mira në Ligën Ballkanike, dhe kjo është një arritje e madhe por nuk do të ndalemi. Besoj se në fund të sezonit do të arrijmë të fitojmë ndonjë trofe gjë që është edhe synimi ynë këtë edicion”, përfundoi malazezi.

Bashkimi aktualisht është e treta në Superligën e Kosovës me 23 pikë, sa ka edhe Sigal Prishtina në pozitën e dytë. Ekipit të tij po i shkon mirë edhe në debutim në Ligën Ballkanike. 

Exit mobile version