Telegrafi

FSK e gatshme t’i mbështesë institucionet qendrore në menaxhimin e COVID-19

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama ka deklaruar gatishmërinë e FSK-së dhe mbështetjen e plotë për institucionet qendrore në menaxhimin e COVID 19.

Ai ka thënë se Forca e Sigurisë së Kosovës vazhdon të zhvilloj operacione të mbështetjes ushtarake për autoritetet civile me qëllim menaxhimin e situatës së krijuar për shkak të pandemisë me Covid 19.

“FSK si gjithmonë është e përkushtuar dhe e vendosur për të ndihmuar qytetarët dhe institucionet e Kosovës, andaj duke vlerësuar shërbimin vetëmohues dhe mbështetjen që duhet t’i japim vendit dhe qytetarëve në këtë kohë të krizës me pandemi globale, kam kërkuar nga Ministri i Mbrojtjes dhe Qeveria në Detyrë që mjetet financiare shtesë të ndara për pjesëtarët e FSK-së t`i dedikojnë dhe adresojnë për nevoja tjera. Andaj ne vazhdojmë me gatishmëri  t`i shërbejmë qytetarëve, të mbështesim institucionet dhe popullin në të gjitha sfidat”.

Në njoftim thuhet se gjatë kësaj periudhe Njësitë e Komandës së Logjistikës dhe Policisë Ushtarake të FSK-së, kanë zhvilluar aktivitete transportuese nga të gjitha pikat kufitare dhe Aeroporti Ndërkombëtarë “Adem Jashari” për në vend-karantinë.

Njësitë e FSK-së gjithashtu kanë mbështetur me tenda, kontejner dhe pajisje përcjellëse Qendrat Spitalore të Kosovës.

FSK po ashtu ka vendosur në gatishmëri Ekipe Mjekësore statike dhe mobile, njëkohësisht ka vendosur dhe mobilizuar Qendrën Mjekësore të FSK-së, dhe paralelisht, po vazhdon të mbështes  Qendrën Operative të MPBAP-së (Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike) dhe shtabet emergjente komunale me oficerë shtabor. /Telegrafi/