Site icon Telegrafi

Komandanti i Policisë në Gjakovë: Një zyrtar policor me COVID-19, pesë të tjerë në pritje të rezultatit

Komandanti i Policisë në Gjakovë, Lumni Graishta ka treguar se nga drejtoria rajonale e Gjakovës aktualisht është vetëm një zyrtarë policor i konfirmuar me COVID-19, ndërsa pesë të tjerë janë në vetë izolim në pritje të rezultatit.

Graishta ka thënë se nga fillimi i pandemisë 17 pjesëtarë policorë kanë rezultuar pozitiv me COVID-19, ndërsa një pjesëtarë policorë ka vdekur si pasojë e infektimit me këtë virus, përcjell Telegrafi.

“Drejtoria Rajonale e Gjakovës, që nga fillimi i pandemisë kemi 17 zyrtarë policorë, fatkeqësisht e humbëm një koleg, këtu në stacionin policor në Gjakovë. Aktualisht kemi gjashtë zyrtarë në vetë izolim prej tyre vetëm njëri është i konfirmuar pozitiv tjerët janë në pritje të rezultateve”, ka thënë ai.

Ndërsa sa i përket respektimit të masave të ndërmarra nga Qeveria e Republikës së Kosovës, nga ana e qytetarëve ai tha: “Kemi hyrë në muajin e pestë më këto masa dhe angazhime shtesë të Policisë së Kosovës. Në përpjekjen e zbatimit të masave nga qeveria, policia në vazhdimësi ka përshtat planet e saj dhe aktivitetet e saja policore karshi kërkesave që dalin nga këto vendime. Qysh nga fillimi këto masa kanë pësuar ndryshime të kohëpaskohshme. Jo vetëm qytetarët e Gjakovës por të gjithë qytetarët e zonës, kanë qenë ndër qytetarët më të ndërgjegjshëm rreth vendimeve. Qytetarët kanë qenë më të përgjegjshëm ndaj vendimeve, ka pas edhe individë qoftë për arsye të ndryshme apo nga pakujdesia që nuk i kanë respektuar këto masa”, ka thënë komandanti i Policisë në Gjakovë, Lumni Graishta. /Telegrafi/

Exit mobile version