Telegrafi

Komandanti i KFOR-it takohet me rektorin e universitetit paralel të Prishtinës në Mitrovicë

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, është takuar me Nebojsha Arsiq, rektor në Universitetin e Mitrovicës së Veriut,  i cili është institucion paralel.

Kjo u bë e ditur nga KFOR në llogarinë zyrtare në Twitter.

“Takimi ishte një mundësi për të theksuar rëndësinë e arsimit tek gjeneratat e reja dhe për të thelluar bashkëpunimin e mundshëm me KFOR-in”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, Universiteti i Mitrovicës së Veriut nuk është i akredituar në Kosovë dhe për autoritetet e saj ky universitet është institucion i paligjshëm ose paralel.

Ky universitet u zhvendos nga Prishtina në Mitrovicën e Veriut pas luftës në Kosovë, në vitin 1999.

Në gusht të vitit të kaluar, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, vendosi gurin themeltar për ndërtimin e Universitetit të ri në Mitrovicën e Veriut.

Është planifikuar që objekti të shtrihet në 10.575 metra katrorë dhe në të do të vendosen Fakulteti i Shkencave Natyrore-Matematikore, Fakulteti Juridik, Fakulteti Ekonomik dhe ndërtesa e Rektoratit.

Më herët, ish-drejtori i Zyrës për Kosovën i qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq, kishte deklaruar se Serbia nuk do të lejoj që të shuhet, zvogëlohet ose në çfarëdo mënyre të ndikohet, në punën e universitetit në pjesën veriore të Kosovës, pasi ky institucion është njëra nga shtyllat e ekzistencës së popullit serb në Kosovë.

Në gusht të vitit 2021, shefi i GP të LDK-së, Arben Gashi, kishte pyetur kryeminsitrin Kurti për universitetin në fjalë.

“Kryeministër, ku je? Gjersa po të ngritën struktura paralele, ti ku je? Serbia po investon mbi 6 milion euro, për ndërtimin e objektit prej 10.575 metra katrorë, të të ashtuquajturit “Universiteti i Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicë”, ka shkruar Arben Gashi. /Telegrafi/