Komandanti i KFOR-it, Franco Federici u takua me ushtarë nga ekipet monitoruese ndërlidhëse (LMT) derisa ata kryenin aktivitetet e tyre të përditshme në komunën e Vushtrrisë, Klinës, Gjakovës, Kamenicës dhe Podujevës.
Sipas një njoftimi të KFOR-it, secili udhëheqës i ekipit e informoi mbi angazhimet aktuale ditore që ata kryejnë dhe e informuan komandantin e KFOR-it për prestigjin e lartë dhe nivelin e mirëpritjes që KFOR-i merr nga komunitetet lokale.
“Vizita, e kryer në bazat e LMT-ve dhe në rrugët e qendrave të qytetit, i dha Gjeneral Major Federici mundësinë për të shprehur vlerësimin e tij për profesionalizmin e lartë të treguar nga ushtarët; duke i inkurajuar ata të vazhdojnë të flasin me njerëzit dhe të këmbëngulin në shfaqjen e pranisë mbështetëse të KFOR-it në këto zona. Prania në terren e LMT-ve kontribuon në mënyrë të konsiderueshme në përmirësimin e marrëdhënieve midis të gjithë njerëzve në këto zona dhe gjithashtu në forcimin e besueshmërisë së qytetarëve në KFOR-in. Ekipet Monitoruese Ndërlidhëse i sigurojnë KFOR-it ‘ndërgjegjësimin e situatës’, përmes aktiviteteve të ndërlidhjes me institucionet lokale, Organizatat Ndërkombëtare dhe posaçërisht me popullatën lokale. Ata kryejnë lëvizje të përditshme monitorimi në mënyrë që të informohen për situatën ekonomike, sociale dhe politike”.
“Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO është të kontribuojë në garantimin e një ambienti të sigurt dhe të qetë, dhe të sigurojë lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët në Kosovë, siç është mandatuar me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, thuhet në njoftimin e KFOR-it. /Telegrafi/