Në intervistën ekskluzive dhënë Radio KFOR-it, Komandanti i ri i KFOR-it, Gjeneral Major Salvatore Cuoci, theksoi se edhe gjatë mandatit të tij, misioni do të vazhdojë të jetë i njëjtë, duke kontribuar për një ambient të qetë dhe të sigurt dhe liri të lëvizjes.
“NATO-ja mbetet e përkushtuar ndaj sigurisë dhe stabilitetit të Kosovës. Ajo ka kontribuuar në normalizimin progresiv të situatës së sigurisë në rajon dhe për 18 vitet e fundit KFOR-i ka ndihmuar në shndërrimin e Kosovës në një vend më të sigurt.
Unë jam plotësisht i vetëdijshëm për sfidat e shumta me të cilat përballet Kosova, dhe KFOR-i do të mbetet një forcë e fuqishme dhe e besueshme, e aftë për të kryer misionin e saj për aq kohë sa është e nevojshme.
Misioni ynë në Kosovë është për sigurinë, jo për shpejtësinë, gjersa ndryshimet në qëndrimin e forcës së KFOR-it, mbeten të bazuara në kushte dhe jo në kalendar”, theksoi komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Salvatore Cuoci. /Telegrafi/