Telegrafi

Komandanti i Gardës, gjeneral Ndrea Prendi – i akuzuari i parë

Sipas Prokurorisë, në vendin e ngjarjes, dhe në oborrin e kryeministrisë janë gjetur një sasi e madhe gëzhojash të të njëjtit kalibër 9 milimetra, të cilat janë shkrehur nga armët e efektivëve të Gardës së Republikës të tipit MP5, të prodhimit turk. Sipas Prokurorisë, predhat e gjetura në trupin e të vrarëve, janë të armëve të kalibrit të njëjtë që efektivët e Gardës kanë në përdorim.

Sipas Shekullit, të shtunën në mesditë, Prokuroria e Tiranë ka lëshuar gjashtë urdhër-arrestet për drejtuesit e lartë të Gardës së Republikës, mes tyre komandantin e këtij institucioni gjeneral Ndrea Prendi dhe pesë vartësit e tij, por, policia e shtetit nuk i zbaton këto urdhra.

Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të organit të akuzës, ku grupi hetimor nën drejtimin e drejtuesit të Prokurorisë së Tiranës prokurorit Sokol Malaj, ka konstatuar nga hetimet paraprake të ngjarjes, elementë të veprës penale të kryer nga drejtuesit e lartë të Gardës së Republikës, vartësit e të cilëve dyshohet se kanë vrarë tre demonstruesit dhe kanë plagosur me armë zjarri së paku 10 persona të tjerë.

“Është lëshuar urdhër-arresti për Komandantin e Gardës gjeneral Ndrea Prendi, komandantin e njësisë numër dy të Gardës kolonel Dashamir Shehi, efektivët e të cilit sipas rregullores kishin për detyrë ruajtjen e ambienteve të kryeministrisë. Për komandantin e njësisë speciale të Gardës major Alfred Ahmetcenaj, komandantin Fran Prenga, komandat i njësisë Vladimir Ndreaj dhe një komandant tjetër i njësive që ishin organizatorët e planit të masave ndaj demonstratës”, citon Shekulli një burim të Prokurorisë. Por, nuk japin detaje për dy emrat e tjerë të gardistëve.

Gjashtë drejtuesit e gardës akuzohen se kanë konsumuar elementë të veprave penale të “shpërdorimit të detyrës” sipas Kodit Penal Ushtarak dhe akuzën e “vrasjes në rrethane cilësuese” kundër dy apo më shumë personave (pasi është qëlluar në drejtim të turmës) sipas Kodit Penal Civil.

Mësohet se urdhrat për arrestimin e gardistëve janë dërguar në zyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, por, në mënyrë skandaloze, deri në mesnatën e djeshme, urdhrat nuk janë ekzekutuar nga policia në kundërshtim flagrant me ligjet e shtetit. /Telegrafi/