Telegrafi

Komandanti i FSK-së priti kadetët e përzgjedhur për studime në akademitë ushtarake të SHBA-së

Komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama, ka pritur sot në takim kadetët e FSK-së të përzgjedhur për studime në gjeneratën 2020-2024 në akademitë ushtarake të SHBA-së, respektivisht Akademinë Ushtarake prestigjioze West Point dhe Akademinë e Forcave Ajrore të SHBA-së, të shoqëruar nga Atasheu i Mbrojtjes së SHBA-së në Kosovë kolonel Ryan Nichols dhe shefja e Zyrës për Bashkëpunim të Mbrojtjes së SHBA-së, Major Courtney Olson.

Në takim, gjeneral Rama shprehu kënaqësinë dhe përgëzimet për rezultatet më të mira në testim si dhe përzgjedhjen e tyre në bazë të kritereve standarde të përcaktuara të akademive përkatëse në konkurrencë shumë të fortë.

Ai, ndër të tjera bashkë me urimet shprehu edhe besimin e plotë në suksese të larta në studime për katër vitet e ardhshme, sukses që reflekton në vlerat e FSK-së, shtetit tonë, dhe vlerat e partneritetit strategjik me aleatët tanë amerikan.

Për suksesin e kadetëve Vesa Ibrahimi dhe Andrin Vuthaj të Akademisë Ushtarake West Point dhe kadetit Albin Bytyqi i Akademisë së Forcave Ajrore, i pari kadet në këtë akademi nga FSK, gjeneral Rama, falënderoi dhe shprehu mirënjohjen e thellë ndaj ambasadës mike amerikane të përfaqësuara në këtë takim nga kolonel Nichols dhe major Olson për kontributin në realizimin e kësaj mundësie dhe këtij suksesi shumë të madh për FSK-në dhe Kosovën në përgjithësi. /Telegrafi/