Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës(FSK), gjenerallejtënant Rrahman Rama, priti në takim shefin e zyrës ndërlidhëse të Republikës së Sllovakisë në Republikën e Kosovës, ambasadorin Lubomir Batary.
“Gjatë takimit që gjeneral Rama zhvilloi me ambasadorin Batery u shpreh se, FSK-ja ashtu siç është e përkushtuar për ruajtjen e vlerave të vendit tonë, po ashtu me të njëjtën gatishmëri dhe përkushtim përkujdeset edhe për ruajtjen e vlerave të popujve, të cilët kanë kontribuar për lirinë dhe paqen e vendit tonë.
Ai tha se, FSK-ja me kënaqësi ka ndërmarrë iniciativën për riparimin e memorialit kushtuar ushtarëve të Forcave të Armatosura të Sllovakisë, të cilët patën humbur jetën në një fatkeqësi ajrore pas përfundimit të misionit në vendin tonë”, thuhet në njoftimin për media.
Nga ana e tij, ambasadori i Republikës së Sllovakisë, Lubomir Batery, në emrin e tij personal dhe në emër të Forcave të Armatosura të Sllovakisë dhe në emër të popullit sllovak falënderoi komandantin e FSK-së, gjeneral Ramën, për angazhimin dhe kujdesin e treguar në përkujtim të jetës dhe veprës së ushtarëve sllovakë.
Vlen të shtojmë se, FSK-ja ka riparuar memorialin i cili u kushtohet 42 ushtarëve sllovakë të cilët kanë humbur jetën para 11 vitesh në një fatkeqësi ajrore, gjatë kthimit të tyre në atdhe, pas përfundimit të misionit në kuadër të KFOR-it në Kosovë./Telegrafi/