Telegrafi

Komandanti i FSK-së pret në takim shefin e mbrojtjes së Gjermanisë, flasin për sigurinë në Kosovë

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, priti këtë të mërkurë me ceremoni zyrtare Shefin e Mbrojtjes së Gjermanisë, Gjeneral Eberhard Zorn.

FSK-ja njofton se në takim është diskutuar situata e sigurisë në Kosovë, rajon dhe me gjerë.

“Të dy gjeneralët, diskutuan lidhur me bashkëpunimin e afërt që FSK e gëzon me ushtrinë Gjermane dhe potencialin për zgjerimin e këtij bashkëpunimi. Më këtë rast Gjeneral Jashari  falënderoi Gjeneralin Zorn për përkushtimin e tij dhe të ushtrisë Gjermane për të ndihmuar FSK-në, në ngritjen dhe zhvillimin e kapaciteteve ushtarake”.

“Ushtria Gjermane është njëra nga kontribuuesit më të mëdhenj me trajnime, ekspertizë dhe donacione të pajisjeve ushtarake për FSK-në, me fokus logjistikën”, thuhet në komunikatën për media.

Në fund të vizitës, bëhet e ditur se u shfrytëzua rasti që pala gjermane zyrtarisht ti dorëzojë FSK-së, donacion veshje mbrojtëse specialistike kundër mjeteve shpërthyese për ekipet e Deminimit/EOD. /Telegrafi/