Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, me ftesë të komandantit të Forcave të Armatosura të Turqisë, gjeneral Hulusi Akar, qëndroi për vizitë zyrtare në Ankara, ku është pritur nga komandanti i përgjithshëm i Ushtrisë së Turqisë, gjeneral Hulusi Akar.
Gjeneral Rama dhe gjenerali Akar gjatë takimit biseduan për marrëdhëniet e mira dhe bashkëpunimin e suksesshëm dypalësh në mes Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Forcave të Armatosura të Turqisë si dhe për planet e bashkëpunimit në të ardhmen.
Me këtë rast, gjeneral Rama vlerësoi lart mbështetjen që Ushtria turke është duke dhënë në të gjitha fushat për FSK-në, në mënyrë që FSK-ja të vazhdojë zhvillimin dhe profesionalizimin e saj.
Ai njëherësh nënvizoi përkushtimin e Komandantit të Forcave të Armatosura të Turqisë gjeneralit Akar për mbështetjen e vazhdueshme të FSK-së në pajisje dhe në fushën e arsimit dhe trajnimit profesional.
Gjeneral Rama vizitoi muzeun “Kemajl Ataturk” në Ankara dhe vendosi kurora lulesh pranë varrit të themeluesit të Turqisë moderne, Kemajl Ataturk.
Gjeneral Rrahman Rama dhe delegacioni i MFSK-së vizituan edhe disa nga repartet e industrisë ushtarake turke, me ç’rast gjeneral Rama dhe delegacioni i MFSK-së dhe FSK-së panë nga afër disa nga pajisjet më moderne ushtarake individuale dhe kolektive, që mund të jenë me interes për FSK-në.
Vizita e komandantit të FSK-së dhe delegacionit në tërësi po realizohet në kuadër të vazhdimësisë së bashkëpunimit dypalësh në mes të FSK-së dhe Ushtrisë turke.