Komandanti i FSK-së Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në SHBA, ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Komandantin e Gardës Kombëtare të Iowa-s, Gjeneralmajor Benjamin Corell.
Sipas komunikatë, gjeneral Jashari dhe gjeneral Corell nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me qëllim të rritjes dhe avancimit të partneritetit në mes të dy forcave.
“Marrëveshja është e ndërtuar në 6 shtylla dhe ka për qëllim të avancojë programin e partneritetit ushtarak duke përfshirë manovrën, zhvillimin e trupës së nënoficerëve, mirëmbajtjen e sistemeve ushtarake, mjekësinë ushtarake dhe fushën e kibernetikës”, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi.
Më tej thuhet se në vazhdën e vizitës në SHBA, gjeneral Jashari së bashku me gjeneralin Corell vizituan trupat e Gardës Kombëtare të Iowa-s dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës në poligonin e stërvitjes në Kampin Atterbury të shtetit të Indiana-s, ku njësitë janë duke zhvilluar stërvitje të përbashkëta ushtarake të këmbësorisë në nivel të kompanisë dhe regjimentit.
Vizita e gjeneral Jasharit do të vazhdojë edhe në ditët në vijim me përcjelljen nga afër të realizimit të ushtrimit dhe thellimit të bashkëpunimit. /Telegrafi/