Gjenerali Rrahman Rama, që sot udhëheq me institucionin më të besueshëm në vend, Forcën e Sigurisë së Kosovës, pranon se problemi me listat e veteranëve po dëmton imazhin e Republikës së Kosovës dhe atë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gjatë luftës, Rrahman Rama ishte komandat i Zonës Operative të Shalës, zonë për të cilën thotë se është i gatshëm të jap sqarime, në çdo kohë që është e nevojshme.
Thotë se nuk e kupton se me çfarë përgjegjësie morale dikush mund të gëzoj statusin e veteranit luftëtar që nuk i takon.
Në një intervistë dhënë për KosovaPress, Rama thotë se çështja e veteranëve tash është në duart e institucioneve të drejtësisë.
“Unë kam qenë edhe si anëtar i Komisionit Qendror, dhe mund të them me përgjegjësi, për aty ku kam qenë përgjegjës, mund të them dhe mund të jap sqarime e përgjegjësi… Për atë përgjegjësi që më takon jam i gatshëm që çdo kund, në çdo moment të jap arsyetim ose përgjegjësi”, thotë ai.
Gjeneral Rama thotë se tash edhe qytetarët duan të dinë se kush ka qenë e kush jo luftëtar veteran, por sipas tij do duhet kohë dhe sqarim që të zbardhet çdo gjë.
Sipas tij, duhet të dalë në dritë çdo gjë si për veteranët e vërtetë, ashtu edhe për ata që pretendohet se kanë keqpërdorë.
Por, komandanti i Forcës thotë se nuk e kupton se me çfarë përgjegjësie morale dikush mund të gëzojë një status që nuk i takon.
“Nuk e di se ata veteranë, nëse ka, nuk e di, nëse ka të rrejshëm nuk e di në kuptimin moral si mund ta marrë një titull kur nuk ka qenë, kur familja e tij e di që nuk ka qenë pjesë e luftës, kojshitë e dinë, farefisi e di, katundi e di që ai nuk ka qenë veteran. Nuk e di me çfarë përgjegjësie morale, njerëzore mund ta gëzojnë një status që nuk u takon. Kjo është e pakuptueshme për mua. Por, mendoj që tash kjo është çështje e drejtësisë, është proces që do të vazhdojë dhe po besoj që të gjitha do të zbardhen, do të dihet realiteti kush është më të vërtetë veteran e kush është përfitues ose qysh po i quajnë tash ‘veteran i rrejshëm’”, tha Rama.
Ditë më parë, Prokuroria Speciale e Kosovës ka dërguar në Gjykatën Themelore në Prishtinë listën e plotë me mbi 20 mijë emrat që po cilësohen persona që përfituan kundërligjshëm në emër të statusit të veteranit.
Në Zonën Operative të Shalës, u publikuan 187 anëtarë veteranë të cilët prokuroria i kategorizon të rrejshëm.
Kujtojmë se me hartimin e listave të veteranëve Zona Operative e Shalës kishte dalë me më së paku veteranë, krahasuar me zonat e tjera./Telegrafi/