Telegrafi

Komandantët fryjnë listat e veteranëve të UÇK-së

Kjo ka bërë që edhe 13 vjet pas luftës veteranët e UÇK-së të mbesin pa benificione. Megjithatë, shpresat e përfaqësuesve të veteranëve se kjo çështje do të mund të zgjidhet i ka rritur një paralajmërim i kryeministrit se në fillim të javës tjetër do të mund të mblidhet komisioni për pastrimin e listave dhe do të emërohet kryetari saj.

I pari i Veteranëve të luftës së UÇK-së, Muharrem Xhemajli përgjegjës kryesor për fryrjen e listave ka thënë të jenë komandantët e zonave, pasi që siç ka thënë ai, ata e kanë pasur përgjegjësinë që pas përfundimit të luftës t’i krijojnë listat me ushtarë të cilët kanë qenë në përfundim të luftës, shkruan “Zëri”.

“Përgjegjësia bie mbi ta. Menjëherë pas lufte është bërë një listë dhe më pas edhe dy tjera dhe asnjëra nuk ka qenë e njëjtë. Në dy listat e fundit është bërë fryrja enorme e numrit të veteranëve të invalidëve dhe dëshmorëve. Në këto tria kategori ka njerëz që nuk kanë qene fare pjesë e luftës së UÇK-së”, ka thënë Xhemajli.

Ai ka bërë të ditur se ka marrë një paralajmërim nga kryeministri Hashim Thaçi se brenda javës që vjen do të mblidhet Komisioni dhe do të caktohet dikush në krye të këtij komisioni që do ta vazhdoj punën nga fillimi i shtatorit.

“Pra ne po presim ftesë na kryeministri sepse komisioni është formuar nga qeveria dhe i jep llogari kryeministrit. Megjithatë, nuk është punë e lehtë që të hiqen nga lista rreth 20 mijë njerëz, por me një përkushtim kjo gjë do arrihet. Posa të filloj punën komisioni kjo punë kryhet sepse lufta nuk ka përfunduar qe 100 vite, por qe 13 vite dhe gjithsecili për gjithsecilin e di se ku ka qenë gjatë dhe pas luftës, sepse Kosova është vend i vogël”, ka thënë Xhemjali.

Ai ka thënë se komisioni i cili ishte formuar, nuk ka punuar hiq, madje sipas tij, ky komision vetëm tri herë është takuar që nga janari i këtij viti.

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi ka fajësuar komandantët e zonave të cilët sipas tij, kanë fryrë numrin e veteranëve.

“Fajtor kryesor për fryrjen e numrit të ushtarëve janë komandantët e zonave dhe përfaqësues të Shtabit të Përgjithshëm. Kjo fryrje është bërë nga eproret. Nuk ka mundur ta bëjë këtë gjithkush. Tash është problem të hiqen njerëzit kur ata i kanë futur vet në listë. Ne kemi kërkuar që të bëhet pastrimi i listave mirëpo pse kjo nuk është bërë, faji bie mbi qeverinë”, ka thënë Qeriqi.

Sipas tij, kjo mund të zgjidhet shumë lehtë përmes një komisioni në takime me komandantët e batalioneve dalin krejt emrat që kanë qenë të përfshirë në UÇK. /Telegrafi/