Site icon Telegrafi

Komandantët e UÇK-së nuk u arrestuan parmbrëmë!

Kosova u trondit përsëri! Edhe njëherë u poshtëruam si komb e si njerëz. U burgos UÇK-ja; u sulmua e u godit identiteti i shqiptarëve.

Ka shumë fjalë, fjalë, e vetëm fjalë të nxehta. Ka edhe retorikë…

Veçoria e parë e retorikës së këtyre ngjarjeve është ndërtimi i “armikut të përbashkët”, apo i të ashtuquajturit “dreq i huaj”. Edhe Hitleri, për të manipuluar me opinionin gjerman, gjeti një “armik të përbashkët” dhe “dreqin e huaj”. Dhe, këta ishin hebrenjtë. Edhe këto ditë, në përpjekje për të mbrojtur komandantët e UÇK-së, nuk është edhe aq vështirë të “gjendet” armiku i përbashkët: tani e me shumë vonesë, kritika po shigjetohet drejt EULEX-it. Por, a është e drejtë dhe diplomatike kjo kritikë, bile sot?

Retorika agresive – e përkrahur nga partiakët dhe disa deputetë të PDK-së, po ndihmon në sajimin e urrejtjes dhe në perceptimin se çdo gjë që vije nga “të huajt” është e keqe për Kosovën. E, kjo është e rrezikshme.

Kur para sa e sa vitesh EULEX-i, e më parë edhe UNMIK, u kritikua – me fakte e me dëshmi – për rolin e tyre keqndikues në politikën, ekonominë dhe sociokulturën tonë, këta “patriotë partiakë” nuk e hapën gojën e as nuk e mbështeten këtë kritikë. Përkundrazi, këta u bënë “qen roje” me mediat e tyre, që mbrojtën dhe propaganduan punën e dyshimtë e të keqe të këtyre organizmave.

Po. Komandantët e UÇK-së u arrestuan në ditën kur u pranua plani famëkeq i Ahtisaarit.

Komandantët e UÇK-së, kam frikë, se edhe shqiptarët bashkë me institucionin UÇK, u “arrestuan” në mbrëmjen kur djemtë dhe çunat patriotë u burgosën e u rrahën nga milicia e PDK-së, gjatë mbrojtjes së flamurit kombëtar mu në mes të Prishtinës. A ju kujtohet? Po ua sjell ndër mend e po ua freskoj trurin edhe me një fakt tjetër: në orët e para të mëngjesit, 10 qershor 2012, arrestohen 12 aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren, të cilët po e stolisnin qytetin me flamurin kombëtar për nder të 134 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

A ju kujtohet rrahja e patrioteve nga milicia vetëm e vetëm se për 28 Nëntorin, të vitit 2009, 2010, ditën e flamurit kombëtar, këta larguan flamurin e Ahtisaarit duke e zëvendësuar me flamurin kombëtar. A nuk u pushkatuan dy shqiptarë në mes të rrugës nga policia ndërkombëtare rumune në rrugët e Prishtinës?

Po. Komandantët e UÇK -së u arrestuan në ditën kur patriotët mbrojtën nderin e flamurit kombëtar, e u rrahën nga milicia për ta mbrojtur flamurin e Ahtisaarit.

Tash lexoj se si “shërbëtorët” të Ahtisaarit e EULEX-it po lansojnë fjalë të ashpra e që i ngjasojnë edhe retorikës së luftës. Këta duan të ndërtojnë një fotografi që u përshtatet partisë së tyre.

Kjo fotografi përforcohet përmes fotografive përdalluese nga ”NE”, PDK, që jemi paqedashës dhe civilizues. Këto sajojnë përmbajtjen dhe shprehjen në fotografinë retorike të armikut, e, që kjo mund të çon masat edhe në akte agresive.

A e meriton një retorikë të tillë të luftës ky popull, që Thaçi&Co. po tenton ta sajojë në opinionin tonë publik? Kam frikën se Thaçi dhe disa deputetë të PDK-së po sajojnë “fotografinë e armikut”! Ata janë fajtorët, ne jemi viktima, thonë këta partiak. Por, a mos është vonë për këtë qëndrim e për këtë thënie?

Po. Komandantët e UÇK -së u arrestuan në ditën kur PDK filloi rrugën e gjatë e agresive për pushtet, duke harruar se kishte për të ndërtuar shtet.

Çka jeni "nxe në krye?

A ju kujtohet kur intelektualë e patriotë dolën hapur në media e protestuan kundër ndërrimit të ikonës dhe emblemës së TMK-së, sot FSK-së? Përsëri shtrohet pyetja se ku ishin "shërbëtorët" e EULEX-it, që sot janë duke luajtur me fjalën dhe ndjenjat e popullit.

Po, atëherë dhe në çastin kur filloi ndërrimi i ikonave, simboleve dhe flamurit kombëtar, u arrestuan komandantët e UÇK-së, e jo dje e pardje.

Çka po turreni?

A ju kujtohen takimet sekrete të kryeministrit Thaçi me kryetarin e Serbisë, Boris Tadiq? E keni harruar apo jo? Unë jo.

Po. Komandantët e UCK-së u arrestuan në ditën kur ky njeri nënshkroi kapitullimin me marrëveshjen e pakusht me Serbinë e Ivo Andriqit, Drazha Mihajloviqit dhe Nikolla Pashiqit.

Pse heshtet?

Fatmir Limaj nuk është komandant i UÇK-së? Pse nuk u tubuan kaq shumë njerëz për mbështetje të këtij burri? Bile-bile kur dihet se akuza ndaj tij për “rastin e Kleqkës” është e falsifikuar, në mos e tëra bile gjysma e saj. Heshtje mortore për këtë komandant!?

Po. Komandantët e UÇK-së u arrestuan në ditën kur heshti shteti ndaj burgosjes së Komandant “Çelikut”, e jo dje e pardje.

Pse po ladroni more?

Krimi dhe korrupsioni ka mbytur majat e politikës dhe qeverisë. E tërë pasuria e Kosovës u fal në emër të privatizimit. S’ka lëvizje e s’ka protesta?! Shkoi Trepça. “S’ka” patriotë Qeveria e Thaçit? Ishin pak, shumë pak ata që reaguan.

Shkurt e shqip, komandantët e Kosova nuk u burgosën mbrëmë. Ne si komb e si popull u “arrestuam” që me ardhjen në pushtet të njerëzve të sojit të Hashim Thaçit, i cili ka kohë që nuk ka shkelur në kishën dhe xhaminë e shqiptarëve: Në kalanë e krenarisë sonë, fortesën e Jasharajve.

EULEX-i “nuk na ka faj”!
 

Exit mobile version