Telegrafi

“Komandantët” e Gjakovës kërcënojnë Komunën e Gjakovës

Avdullah Babalija, një ‘komandant’ i Gjakovës, i shkarkuar së fundmi nga pozita e drejtorit të ndërmarrjes publike ‘Çabrati’- kompani që merret me shërbime publike të pastrimit, ka nisur një fushatë agresive kërcënimesh publike ndaj Komunë së Gjakovës.

 

Në profilin e tij në Facebook shpërndan shkrime të ‘simpatizantëve’ të tij që shkarkimin tij nga posti i drejtorit e quajnë ‘akt qyqar’, ndërsa në disa publikime të mëhershme ka konstatuar që Kryetarja e Gjakovës kinse paska mashtruar.

 

“Ja si kryetarja si i manipulon 35 asamblistë komunalë për shkarkimin e bordit të KRM “Çabratit” pa argumente dhe fakte”, shkruan ai derisa shpërndan procesverbalin e një mbledhje ku Mimoza Kusari-Lila paraqet shpërdorimet në këtë ndërmarrje publike.

 

Pak kohë para se të largohej nga kjo pozitë, Babalija kishte publikuar fotografitë e dy miqve të Kusari-Lilës, Fisnik Këpuska e Valon Lluka, ku komenton: “Ja njerzit te cilet me rekomandimet e kryetares Mimoza Kusari Lila deshirojn te i falimentojn nderrmarrjet publike ashtu si e falimentuan ngrohtoren e qytetit per interesa personale e biznesore”(sic).

 

Valon Lluka as që është pjesë e institucioneve të Komunë së Gjakovës dhe rrjedhimisht ai nuk mund as të emërohet në organet drejtues të kësaj kompanie.

 

Përmendjen tërthorazi të tij në një prononcim për Express e ka komentuar Lluka.

 

“Frustrimin e vet me situatën e krijuar ta kërkon diku tjetër ai”, thotë Lluka për Express.

 

KRM Çabrati është Ndërmarrje Publike Lokale, e organizuar si Shoqëri Aksionare. Aksionari i saj i vetëm është Komuna e Gjakovës.

 

Komuna e Gjakovës është një njësi operimi, shërbimet e mbledhjes dhe grumbullimit të mbeturinave kryhen nga KRM Çabrati si i vetmi operator i licencuar për shërbimet e pastrimit në këtë komunë.

 

Çabrati është e themeluar në vitet e 50-ta, dhe qysh atëherë ka kryer shërbime të menaxhimit të mbeturinave. Shërbimet e saj kryhen në bazë të standardeve të përcaktuara nga ZRRUM-i.

 

Zona e shërbimit të Çabratit përfshin qytetin e Gjakovës dhe 86 fshatra. Rreth 96,071 banorë jetojnë në zonën e shërbimit të saj. Prej tyre rreth 44% e banorëve jetojnë në qytet dhe 56% jetojnë në zonat rurale4. Këto të dhëna nuk janë në përputhje me të dhënat në planin e biznesit të kompanisë.

Në vitin 2008 Çabrati kishte 109 punëtorë.

 

Aktivitetet e kompanisë i menaxhon Kryeshefi Ekzekutiv, i cili siguron funksionimin e kontrolleve dhe raporton rregullisht para Bordit të Drejtorëve.

 

“Në dy vitet e fundit kompania ka operuar me performancë negative ku humbja në vitin 2011 ishte 31,931€, ndërsa në vitin 2012 humbja është thelluar në 36,013€. Buxheti në vitin 2011 ishte 565,122€ ndërsa ne vitin 2012 ishte 566,113€”, thuhet në Raportin e Auditimit të Përgjithshëm për këtë ndërmarrje të bërë në vitin 2013.