Site icon Telegrafi

Rrustem Mustafa – Remi, i ftuari i parë i Gjykatës Speciale

Rrustem Mustafa, i njohur në luftën e fundit në Kosovë si Komandant Remi, është i ftuari i parë për tu intervistuar në Gjykatën Speciale.

Këtë e ka konfirmuar avokati i Rrustem Mustafës, Arianit Koci, përmes një statusi në Facebook.

Koci ka theënë se klienti i tij do të jetë pjesë e këtij procesi në Hagë më 14 janar të vitit 2019-të.

”Me autorizimin e klientit tim z. Rrustem Mustafa, ju njoftoj se Mustafa ka pranuar një ftesë që me datën 14 janar 2019, të paraqitet pranë Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës (ZPS) në Hagë. Kjo është ftesë për intervistim. Mustafa do të paraqitet vullnetarisht dhe është i gatshëm të sqarojë çdo rrethanë të cilën ZPS është duke e hetuar. Kjo është e gjitha për çfarë kemi njohuri tani për tani, dhe me mirësjellje kërkoj nga gazetarët që të mos e kontaktojnë Mustafa rreth kësaj çështjeje”, shkruan avokati Arianit Koci.

Gjatë luftës së viteve 1998-99, Rrustem Mustafa ka qenë në krye të Zonës Operative të Llapit.

Pas luftës, Mustafa ka qenë edhe deputet i Kuvendit të Kosovës.

Gjykata e Hagës, themelimi i të cilës është votuar në Kuvendin e Kosovës, në vitin 2015, pritet të gjykojë disa krime të luftës për të cilat pretendohet se janë kryer nga njerëz të UÇK-së.

Misioni i saj është që t’i hetojë pretendimet e raportit të Dick Martyt, për krime të cilat thuhet se janë kryer mes viteve 1998-2000./Telegrafi

Exit mobile version