Site icon Telegrafi

“Komandant Bjeshka”, kandidat për deputet nga LDK – çfarë e shtyu Fadil Hadergjonajn t’i hyjë politikës

Fadil Hadergjonaj do të jetë pjesë e listës së kandidatëve për deputet në zgjedhjet e 9 shkurtit, si përfaqësues i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

I njohur gjatë luftës si komandant “Bjeshka”, ai ka shpjeguar arsyet që e shtynë të garojë për një vend në Kuvendin e Kosovës.

“Në LDK për shkak të një rruge që kam kaluar. Jam mobilizuar në luftë përmes një institucioni të kohës, ministrisë së mbrojtjes. Pas lufte, kam qenë besnik ndaj profesionit tim dhe kam shërbyer deri në pension në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK). Pasi dola në pension, mendova t’i kushtohem familjes, por më vonë aplikova për komisioner për FSK-në në Kuvendin e Kosovës dhe nuk u zgjodha. Në atë moment mendova që duhet të vazhdoj të merrem me çështjet e personelit ushtarak dhe ndjeva që nuk po vlerësohej kontributi im,” deklaroi Hadergjonaj.

Ai gjithashtu shprehu shqetësimin e tij për situatën aktuale në Kosovë, duke e cilësuar atë si të pafavorshme.

“Sipas bindjes sime, gjendja në Kosovë nuk është e mirë në asnjë sektor. Kam zgjedhur LDK-në për dy arsye kryesore: e para, sepse besoj që situata në vend duhet të ndryshojë, dhe e dyta, sepse LDK është një parti e profilizuar me kulturë të gjatë politike dhe orientime të qarta. LDK nuk ka dilema në qëndrimet e saj – që nga themelimi i saj dhe presidenti Rugova ka mbetur e përkushtuar për një Kosovë të lirë, të pavarur dhe të integruar në Bashkimin Evropian dhe strukturat euroatlantike, duke ruajtur miqësinë e përhershme me SHBA-në,” theksoi ai.

Zgjedhjet parlamentare në Kosovë pritet të mbahen më 9 shkurt, ku LDK do të garojë me një listë të kandidatëve për të siguruar përfaqësim në Kuvend.

Exit mobile version