Site icon Telegrafi

Kolumbia nuk ka marrë ofertë nga Kosova

“Nuk jemi në dijeni për një mundësi të tillë, edhe pse çështja e kundërshtarit tonë për ndeshje miqësore më 5 mars edhe më tutje është e hapur”, tha Mejia.

“Unë nuk kam dëgjuar deri më tashti për një mundësi që të luajmë me Kosovën, pasi që asnjëherë nuk është përmendur kjo në federatën tonë”. Shtëpia e futbollit kolumbian megjithatë ka lënë të hapur emrin e rivalit për 5 mars, duke thënë se deri më tashti kanë vetëm dy opcione të mundshme.

“Për datën e 5 marsit deri më sot kemi oferta për të zhvilluar dy ndeshje, me Meksikën ose Hondurasin, por jo edhe me Kosovën. Nuk di asgjë për një ndeshje me Kosovën, edhe pse me caktimin e kundërshtarit tonë po merren disa agjentë dhe kompani. Por po përsëris se nuk kam njohuri se është përmendur Kosova me këtë rast”, shtoi Mejia. Sipas tij emri i kundërshtarit të tyre do të dihet deri në fund të javës së ardhshme. “Nuk ka një datë të saktë, por kjo mund të ndodhë javën që vjen. Dhe posa ta marrim vesh se me kë do të luajmë do të njoftojmë opionionin nëpërmjet sajtit tonë zyrtar”, tha na vazhdim Mejia.

Pas lejes së marrë nga FIFA për zhvillimin e ndeshjeve miqësore ndërkombëtare për Kosovën, janë përmendur emrat e disa kombëtareve si kundërshtarë të mundshëm të saj, përfshirë këtu edhe Kolumbinë, e cila aktualisht radhitet si e katërta në ranglistën e fundit të FIFA-s. Kjo ka bërë që si opcione përballë Kosovës në ndeshjen e parë të saj ndërkombëtare zyrtare të mbeten Ishujt Faroe, Xhamajka, Mauritania apo edhe Shqipëria.

Ndërkohë Federata e Futbollit e Kosovës nuk ka informacione të reja se kush mund t’i sfidojë më 5 mars dhe ku do të luhet ndeshja. Megjithë sinjalet e FFK-ës së shpejti mund të gjejë kundërshtarin për ndeshjen e 5 marsit, kjo nuk është arritur. Presidenti i FFK-ës, Fadil Vokrri edhe më tutje gjendet në Zvicër në kërkim të kundërshtarit dhe caktimit të vendit për zhvillimin e ndeshjes, ndërkohë që zëdhënësi i FFK-së, Fazli Berisha ka thënë se përkundër përpjekjeve të mëdha, ende asgjë konkrete nuk ka.

“Kryetari Fadil Vokrri edhe në këto momente kur po flasim është në Zvicër për këtë arsye. Përveç tij edhe agjencitë e aranzhuara nga FFK-ja janë duke punuar në gjetjen e një kundërshtari. Aktualisht asgjë të re nuk ka dhe nuk mund të them nëse mund të ketë shpejt ndonjë lëvizje”, tha Berisha. Ditë më parë Bordi i FFK-ës ishte përcaktuar që ndeshja e parë për shkak të kushteve jo të mira në stadiumet në Kosovë ajo të zhvillohet në Zvicër, por tash kur stadium “Adem Jashari” është në rinovim e sipër kanë dalë zëra se takimi i 5 marsit mund të luhet aty.

Megjithatë për këtë skeptik është treguar zëdhënësi. “Ka ende punë aty dhe nuk besojë se mund të bëhet gati për ndeshjen e parë. E mira është se aty po punohet shumë dhe ai objekt po bëhet tamam me standarde evropiane, kështu që edhe nëse nuk luhet këtë herë, gjithsesi ai mund të jetë i gatshëm për ndeshjet e radhës”, ka përfunduar Berisha. /Zëri/Telegrafi/ 

Exit mobile version