Presidenti kolombian, Juan Manuel Santos, ka njoftuar se vendi i tij do të bëhet zyrtarisht i pari vend i Amerikës Latine që merr statusin e ‘partnerit botëror’ të NATO-së.
Në një fjalim televiziv, Presidenti Santos tha se “javën e ardhshme do të zyrtarizojmë në Bruksel futjen e Kolumbisë në NATO në kategorinë e partnerit botëror. Do të jemi i vetmi vend i Amerikës Latine me këtë privilegj”.
Juan Manuel Santos, fitues i Çmimit Nobel të Paqes në 2016 për arritjen e armëpushimit me kryengritësit e organizatës FARC, tha se “ky hap do të përmirësojë imazhin e Kolumbisë në skenën botërore”.
Kolumbia arriti marrëveshje partneriteti me NATO-në në maj të vitit të kaluar, pas përmbushjes së marrëveshjes me organizatën FARC që tani është parti politike.
“Fushat e bashkëpunimit përfshijnë sigurinë kibernetike, terrorizmin dhe lidhjet e tij me krimin e organizuar, sigurinë e rrugëve detare dhe ndërtimin e kapaciteteve të forcave ushtarake kolumbiane” thuhet në një deklaratë për shtyp në faqen elektronike të NATO-së.
Partnerë të tjerë botëror të NATO-së janë Afganistani, Australia, Iraku, Japonia, Koreja e Jugut, Mongolia, Zelanda e Re dhe Pakistani. /Telegrafi/